Ndërkohë tre persona mbetën të lënduar në një aksident mes dy automjeteve në autostradën Fier–Vlorë. Të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Karkavec, në Njësinë Administrative Qukës të bashkisë së Prrenjasit, ku një 69-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij duke i vënë flakën pas një konflikti në familje. Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar, Gani Danga, ndodhej në gjendje të dehur kur fillimisht ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij 67-vjeçare, Minushe Danga. Më pas, ai dyshohet se i ka marrë me forcë telefonin celular, e ka lyer me benzinë dhe i ka vënë flakën.
Burime paraprake bëjnë me dije se konflikti mund të ketë nisur për motive xhelozie, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Sipas të dhënave të para, çifti jetonte i vetëm, pasi djali i tyre ndodhet emigrant në Greqi. Gjithashtu, mësohet se 67-vjeçarja kishte qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje gjatë tre muajve të fundit, për shkak të episodeve të përsëritura të dhunës në familje.
Pas ngjarjes, e dëmtuara u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Elbasanit dhe më pas në repartin e djegieve në Tiranë për trajtim të specializuar. Burime spitalore bëjnë me dije se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ndërhyri menjëherë pas njoftimit të fqinjëve dhe arrestoi 69-vjeçarin, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e veprave penale që do t’i ngarkohen autorit të dyshuar.
Ndërkohë, një aksident rrugor është regjistruar mesditën e sotme në autostradën Fier–Vlorë, pranë fshatit Mifol. Sipas informacioneve paraprake, në përplasje janë përfshirë një automjet i vogël dhe një fuoristradë, të cilat janë goditur me njëra-tjetrën për shkaqe që ende nuk janë sqaruar.
Si pasojë e aksidentit, tre persona kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore. Mjekët bëjnë me dije se të plagosurit kanë pësuar dëmtime të ndryshme, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.









