Autoritetet ekuadoriane njoftuan se sekuestruan rreth 460 kilogramë kokainë të transportuar me një kamion. Drejtuesi i mjetit u arrestua, ndërsa nuk dha ndonjë shpjegim se përse fotografia e Haaland ishte përdorur për të shënuar paketat e drogës.
Emri i Erling Haaland është bërë protagonist i një historie të pazakontë që nuk ka lidhje me fushën e futbollit. Fotografia e sulmuesit norvegjez të Manchester City është zbuluar mbi pako kokaine gjatë një operacioni të policisë së Ekuadorit pranë kufirit me Kolumbinë.
Autoritetet ekuadoriane njoftuan se sekuestruan rreth 460 kilogramë kokainë të transportuar me një kamion. Drejtuesi i mjetit u arrestua, ndërsa nuk dha ndonjë shpjegim se përse fotografia e Haaland ishte përdorur për të shënuar paketat e drogës.
Operacioni antidrogë u zhvillua në Rrugën Panamerikane, pasi policia kishte marrë një denoncim anonim mëngjesin e së martës. Informacioni çoi agjentët te një kamion që ngjalli dyshime dhe u ndalua për kontroll.
Gjatë inspektimit, efektivët zbuluan një dysheme të dyfishtë të krijuar posaçërisht për të fshehur ngarkesën. Brenda hapësirës së modifikuar u gjetën 370 pako me lëndë narkotike.
Policia publikoi edhe pamje nga operacioni, ku shihen pakot e nxjerra nga vendi i fshehtë. Ajo që tërhoqi menjëherë vëmendjen ishte fotografia e Haaland, e vendosur dukshëm mbi paketimin e drogës.
Megjithatë, autoritetet nuk e konsiderojnë të pazakontë përdorimin e imazheve të personazheve të famshëm nga grupet e narkotrafikut. Fotografi, logo dhe simbole të ndryshme përdoren shpesh për të identifikuar ngarkesat, origjinën e tyre apo grupin dhe klientin për të cilin janë destinuar.
Haaland nuk është i vetmi emër i madh i futbollit, fotografia e të cilit është përdorur në këtë mënyrë. Edhe imazhi i Lionel Messit është gjetur më parë mbi paketa me lëndë narkotike.
Ekuadori konsiderohet një nyje e rëndësishme logjistike për trafikimin ndërkombëtar të kokainës. Ngarkesat që kalojnë përmes vendit kanë si destinacion kryesor Shtetet e Bashkuara, por sasi të konsiderueshme trafikohen edhe drejt tregjeve evropiane.









