Esmeralda Hasani është emëruar Drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Emërimi i saj është dekretuar këtë të enjte nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me propozim të Kryeministrit, pas shkarkimit të Vlora Hysenit nga kjo detyrë.
Hyseni ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”, ku dyshohet për ndihmë ndaj biznesmenit Ergys Agasi gjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati, si dhe për përhapje të sekreteve shtetërore.
Esmeralda Hasani vjen në krye të SHISH pas një karriere të zhvilluar në administratën publike, institucionet akademike dhe fushën e kërkimit shkencor. Përpara emërimit, ajo shërbente si këshilltare pranë Kryeministrisë, ndërsa më herët ka drejtuar Departamentin e Mbështetjes në strukturat e SHISH.
Hasani është diplomuar në Drejtësi Ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Milanos dhe ka përfunduar studimet Master në Planifikimin dhe Zhvillimin e Projekteve në Innovation Business School në Bruksel.
Përvoja e saj profesionale përfshin mësimdhënien në fushën e së Drejtës Evropiane, menaxhimin e projekteve dhe angazhimin në iniciativa kërkimore e inovative në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ajo ka shërbyer gjithashtu si eksperte e pavarur e Komisionit Evropian në fushën e kërkimit dhe inovacionit.
Nga shtatori 2015 deri në shtator 2019, Hasani ka mbajtur postin e Drejtoreshës Ekzekutive të Institutit Barleti për Kërkim dhe Zhvillim. Ndërsa nga shtatori 2017 deri në dhjetor 2018, ka qenë pjesë e kabinetit të Ministrit të Shtetit për Diasporën, ku ka ushtruar funksionet e këshilltares dhe shefes së kabinetit.
Ajo është gjithashtu ideatore dhe autore e projektit “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”. Që prej shtatorit 2019, drejton Institutin Adriapol – Rritje e Mençur dhe Kreative.
Së fundmi, Hasani është përzgjedhur nga Misioni i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Shqipëri si Konsulente Ndërkombëtare për Zhvillimin e Projekteve.
Sipas njoftimit të Presidencës, përpara dekretimit janë kryer të gjitha procedurat ligjore të verifikimit, të parashikuara për emërimin e zyrtarëve në poste të larta.
Dekreti për emërimin e Esmeralda Hasanit mban numrin 595, datë 12 nëntor 2026.









