Propozimet e BQE-së janë ndarë në dy tema kryesore: “Kultura Europiane” dhe “Lumenjtë dhe Zogjtë”. Në temën e parë përfshihen figura të njohura të historisë dhe kulturës europiane, si Ludwig van Beethoven, Leonardo da Vinci, Maria Callas, Marie Curie, Miguel de Cervantes dhe Bertha von Suttner. Ndërsa tema e dytë fokusohet te natyra europiane, duke paraqitur peizazhe të lumenjve dhe specie karakteristike të shpendëve.
Kartëmonedhat euro pritet të marrin një pamje të re. Banka Qendrore Europiane (BQE) ka prezantuar 10 modelet e propozuara për serinë e ardhshme të kartëmonedhave, të cilat do të jenë ridizenjimi i parë që prej futjes së euros në qarkullim në vitin 2002.
Qytetarët e vendeve të eurozonës do të kenë mundësinë të votojnë për dizajnin e tyre të preferuar, ndërsa modeli fitues pritet të përcaktohet në fund të vitit 2026. Megjithatë, kartëmonedhat e reja nuk do të dalin menjëherë në qarkullim, pasi procesi i prodhimit dhe testimit do të kërkojë disa vite.
Propozimet e BQE-së janë ndarë në dy tema kryesore: “Kultura Europiane” dhe “Lumenjtë dhe Zogjtë”.
Në temën e parë përfshihen figura të njohura të historisë dhe kulturës europiane, si Ludwig van Beethoven, Leonardo da Vinci, Maria Callas, Marie Curie, Miguel de Cervantes dhe Bertha von Suttner. Ndërsa tema e dytë fokusohet te natyra europiane, duke paraqitur peizazhe të lumenjve dhe specie karakteristike të shpendëve.
BQE ka hapur një konsultim publik deri më 21 shtator, ku qytetarët mund të shprehin preferencat e tyre për modelet e propozuara.
Kartëmonedhat e reja do të pajisen me elemente më të avancuara sigurie për të luftuar falsifikimin, do të jenë më të aksesueshme për personat me probleme shikimi dhe do të prodhohen me materiale më miqësore me mjedisin.
Ndërkohë, kartëmonedhat aktuale euro do të mbeten të vlefshme dhe do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me serinë e re edhe pas prezantimit të saj.









