Familja e Martin Canit: Rama përdor emrin e djalit për propagandë

Facebook
WhatsApp

Përmes një deklarate zyrtare për mediat të shpërndarë sot për mediat, familja e të ndjerit Martin Cani ka adresuar akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për përdorim politik dhe propagandistik të figurës së djalit të tyre.

Ky reagim vjen dy ditë pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me 16 vite burgim për autorin e vrasjes, Mario Përlleshaj.

Në qëndrimin e tyre zyrtar, familjarët e të miturit që humbi jetën tragjikisht në vitin 2024, shprehin indinjatën ndaj deklaratave publike të kreut të qeverisë dhe kërkojnë me urgjencë përfundimin e hetimeve ndaj institucioneve arsimore e shëndetësore.

Familja Cani ka hedhur poshtë argumentet qeveritare mbi masat e ndërmarra pas tragjedisë, duke i cilësuar ato si fasadë dhe dështim të sistemit.

Mbyllja e platformës TikTok: Sipas familjes, ky vendim nuk parandaloi humbjen e jetëve të të miturve, duke sjellë në vëmendje ngjarjet e rënda të regjistruara më pas në Maliq dhe Durrës.

Projekti “Smart City” dhe kamerat në shkolla: Familjarët theksojnë se vendosja e kamerave nuk mund të zëvendësojë praninë e psikologëve dhe masat konkrete të sigurisë aktive në institucionet arsimore.

Mungesa e mbështetjes humane: Deklarata vë në pikëpyetje ndjeshmërinë e pretenduar të kryeministrit, duke vënë në dukje se familja nuk ka marrë asnjëherë asnjë mesazh mbështetjeje apo takim zyrtar nga ana e tij.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës i dedikohet asaj që familja e konsideron si dështim strukturor të shtetit shqiptar në menaxhimin e ngjarjes dhe shpëtimin e jetës së djalit të tyre.

“Martini vdiq sepse Spitali i Traumës nuk kishte kardiokirurg dhe pajisjen jetike zemër-mushkëri, e cila kushton më pak se një makinë qeveritare.”

Po ashtu, familja kritikon ashpër punën e strukturave të Policisë së Shtetit, duke denoncuar faktin se arma e krimit u gjet nga një kalimtar i rastësishëm dhe jo nga grupi hetimor, gjë që sipas tyre rrezikoi asgjësimin e provave kyçe.

Në mbyllje të deklaratës, familja Cani kërkon me ngulm që të përfundojë urgjentisht hetimi 18-mujor për përgjegjësitë administrative të shkollës “Fan Noli”, e cila akuzohet se nuk njoftoi prindërit për konfliktin paraprak të ndodhur përpara ditës së ngjarjes.

Familjarët e mbyllin reagimin e tyre me një mesazh të prerë se nuk do të lejojnë që emri i Martin Canit të kthehet në një slogan politik apo pretekst për censurë, duke premtuar se nuk do të ndalen deri në zbardhjen e plotë të përgjegjësive institucionale.

Deklaratë për shtyp e familjes Cani

Tiranë, 17.07.2026

Familja Cani shpreh indinjatën e saj të thellë për mënyrën se si Kryeministri Rama vazhdon të përdorë emrin e djalit tonë, Martin Cani, për qëllime politike dhe propagandistike, duke shmangur përgjegjësitë reale të institucioneve që dështuan ta mbronin.

Edhe sot, në fjalimin e tij publik, kryeministri deklaroi se: “Prindërit duhet të ndihen të lehtësuar… qeveria është ndryshe nga si përshkruhet në kanalet sociale.” Por ndërkohë, realiteti është krejt tjetër: fëmijët vazhdojnë të vriten, institucionet vazhdojnë të dështojnë dhe tragjeditë nuk po ndalen.

  1. Vrasjet e miturve nuk ndaluan pas mbylljes së TikTok

Pavarësisht mbylljes së TikTok, të cilën qeveria e përdori si justifikim politik pas vrasjes së Martinit, realiteti është i qartë:

  • Një i mitur u vra në Maliq.
  • Një tjetër i mitur u vra në Durrës.

Këto tragjedi tregojnë se rrjetet sociale nuk janë shkaku i vrasjeve, por dështimi i sistemit arsimor, mungesa e sigurisë në shkolla dhe papërgjegjshmëria institucionale.

  1. Vendosja e kamerave nuk zgjidh problemin

Kryeministri foli sot për “smart city në shkolla” dhe për vendosjen e kamerave, duke thënë se: “Algoritmi është një trup që bën atë që thotë.”

Por kamerat:

  • nuk parandalojnë dhunën,
  • nuk zëvendësojnë psikologët,
  • nuk zgjidhin mungesën e sigurisë,
  • nuk e shpëtuan Martinin, dhe nuk do të shpëtojnë fëmijë të tjerë pa masa reale.

Siguria në shkolla kërkon veprime, jo pajisje teknologjike për propagandë.

  1. Kryeministri thotë se “mendon vazhdimisht për Martinin”, por nuk ka bërë asgjë për familjen tonë

Nëse Kryeministri mendon vërtet për Martinin:

  • Pse nuk ka takuar asnjëherë familjen tonë?
  • Pse nuk ka ofruar asnjë mbështetje institucionale?
  • Pse nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit që ai drejton?

Fjalët nuk mjaftojnë. Ne kemi parë vetëm heshtje, shmangie dhe përdorim politik të tragjedisë sonë.

  1. Pse nuk është blerë pajisja e zemrës që do ta shpëtonte Martinin?

Martini vdiq sepse:

  • Spitali i Traumës nuk kishte kardiokirurg;
  • Spitali i Traumës nuk kishte pajisjen zemër-mushkëri, që riparon zemrën e të plagosurve në zemër.

Kjo pajisje kushton më pak se një makinë qeveritare, por ende nuk është blerë.

Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin që qeveria të kuptojë se pajisjet shpëtojnë jetë, jo kamerat?

  1. Pse Kryeministri nuk kritikoi ministrat që qeshën kur u përmend Martini në Parlament?

Kur u përmend emri i Martinit në Kuvend:

  • Ministrja Manastirliu qeshi;
  • Ministrja Balluku qeshi.

Kryeministri nuk tha asnjë fjalë. Asnjë distancim. Asnjë ndëshkim. Asnjë ndjesë.

A është ky respekti që ai pretendon se ka për djalin tonë?

  1. Policia nuk bëri detyrën – arma e krimit u gjet nga një kalimtar i rastësishëm

Nëse policia do të kishte vepruar siç duhet:

  • Arma e krimit nuk do të gjendej nga një qytetar i rastësishëm;
  • Provat nuk do të rrezikonin të humbnin;
  • Hetimi nuk do të ishte i cunguar.

Kjo është dëshmi e qartë e dështimit të strukturave të rendit.

  1. Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit 18-mujor për shkollën Fan Noli dhe sistemin shëndetësor

Në vend që të politizojë tragjedinë e Martinit:

  • Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për përgjegjësinë e shkollës Fan Noli, e cila nuk njoftoi prindërit për incidentin e të premtes;
  • Duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për dështimin spektakolar të sistemit shëndetësor, që e dërgoi Martinin në spitalin e gabuar dhe nuk kishte pajisjet për ta shpëtuar.

18 muaj hetim pa përgjigje është turp institucional.

Ne nuk do të heshtim

Martini nuk ishte slogan politik. Martini nuk ishte pretekst për censurë. Martini nuk ishte justifikim për kamera.

Martini ishte një fëmijë i mirë, një futbollist me ëndrra, një djalë që meritonte të jetonte.

Ne kërkojmë:

  • Drejtësi për Martinin
  • Siguri për fëmijët e Shqipërisë
  • Përgjegjësi nga institucionet
  • Veprime, jo fjalë

Familja Cani Tiranë, 17.07.2026

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick