Situata më kritike paraqitet në Finiq, ku flakët kanë depërtuar deri në oborret e banesave në fshatin Kostar. Në Mallakastër, zjarri u afrua rreth 100 metra pranë shtëpive dhe puseve të naftës, por u vu nën kontroll nga forcat zjarrfikëse.
Dy vatra të mëdha zjarri kanë alarmuar autoritetet gjatë orëve të fundit në jug të vendit, duke rrezikuar banesa, sipërfaqe të gjera toke dhe infrastrukturë të rëndësishme.
Situata më e vështirë paraqitet në bashkinë e Finiqit, ku flakët, të shfaqura rreth orës 13:00, janë përhapur me shpejtësi drejt fshatrave Kostar dhe Vllahat. Sipas informacioneve nga terreni, gjendja më problematike raportohet në Kostar, ku zjarri ka depërtuar deri në oborret e banesave, duke shtuar rrezikun për pronat e banorëve.
Forcat zjarrfikëse po punojnë për izolimin e vatrave aktive, por terreni i thyer dhe intensiteti i lartë i flakëve po e vështirësojnë ndërhyrjen. Për këtë arsye, autoritetet kanë kërkuar edhe mbështetje nga ajri. Në operacion janë angazhuar ekipet zjarrfikëse të Finiqit, Sarandës dhe Delvinës.
Ndërkohë, një tjetër zjarr i përmasave të mëdha u regjistrua në Mallakastër, pranë fshatit Hekal, në zonën e njohur si “Qafa e Vidhit”. Të favorizuara nga era e fortë, flakët u përhapën me shpejtësi, duke djegur më shumë se 10 hektarë me ullishte dhe shkurre.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri u afrua deri në rreth 100 metra nga banesat dhe puset e naftës, duke krijuar rrezik për një situatë edhe më të rëndë. Megjithatë, ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse bëri të mundur shmangien e dëmeve më të mëdha.
Në operacion morën pjesë gjashtë mjete zjarrfikëse nga Ballshi, Patosi, Roskoveci dhe Albpetroli, të cilat arritën ta neutralizonin zjarrin pas disa orësh pune. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarreve mbeten ende nën hetim.









