Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ftuar deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së në një takim që do të mbahet nesër në orën 14:00, në selinë e partise. Nga ana tjetër Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se kjo parti nuk po kërkon pushtet apo marrëveshje politike për partinë, por funksionalizimin e institucioneve të shtetit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ndërmarrë një tjetër përpjekje për takim me drejtuesit e partive të tjera.
Mësohet se Kurti u ka dërguar ftesa kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini.
Përveç takimeve me drejtuesit partiakë, Kurti ka kërkuar edhe zhvillimin e një takimi të përbashkët. Në ftesat e dërguara nuk është përcaktuar një datë konkrete. Kurti e ka lënë të hapur kohën e takimit, në mënyrë që ajo të përshtatet me gatishmërinë e kryetarëve të partive të tjera.
Deri më tani nuk ka informacion nëse Abdixhiku, Hamza dhe Gjini i kanë pranuar ftesat dhe nëse kanë shprehur gatishmëri për takim.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ftuar deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së në një takim që do të mbahet nesër në orën 14:00, në selinë e partise.
Sipas burimeve të KosovaPress, Abdixhiku iu ka dërguar deputetëve një mesazh, përmes të cilit u ka kërkuar që qëndrimet dhe diskutimet për zhvillimet aktuale t’i mbajnë brenda organeve të partisë.
“Të nderuar, Ju ftoj për takim të përbashkët, nesër, në ora 14:00, në Selinë e LDK-së. Ju lus, po ashtu, që qëndrimet dhe diskutimet t’i mbajmë brenda organeve të partisë, duke respektuar rendin dhe përgjegjësinë tonë partiake. Në këto kohë të rëndësishme për vendin, është e domosdoshme që LDK të flasë me një zë; pasi t’i ketë diskutuar çështjet, peshuar me kujdes dhe dakorduar plotësisht qëndrimet e saj. Nesër takohemi, diskutojmë hapur dhe përcaktojmë së bashku rrugën përpara. Shihemi, Lumiri”, thuhet në mesazhin e Abdixhikut.
Vazhdimi i seancës konstituive është ndëprerë të shtunën me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe pas ekskalimit të situatës në seancë gjatë gjuajtjes me vezë Albin Kurtin nga deputetja e Alenacës, Time Kadrijaj.
Nga ana tjetër Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konference per media ka akuzuar kryesuesin e seancës konstituive, Avni Deharin, se po ‘vepron në kundërshtim me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuesse dhe Rregulloren e Kuvendit’.
“Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit dhe po i nënshtrohet vullnetit politik të partisë së tij. Kjo nuk është shkelja e parë. Fillimisht, Kuvendi nuk u konstitua brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, më pas u shpërfill detyrimi procedural për vazhdimin e seancës konstituive çdo 48 orë dhe tani, pas kërkesës sonë, siç e pamë, u refuzua thirrja e seancës”, tha Çitaku.
Sipas deputetes së PDK-së, institucionet e Kosovës nuk mund të funksionojnë mbi bazën e vullnetit të një partie politike. “Nuk kemi të bëjmë me një incident procedural. Kemi një model të sjelljes politike. Kushtetuta zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie. Kjo është e papranueshme. Kur vullneti i një partie vendoset mbi Kushtetutën, mbi rregullat dhe mbi institucionet, atëherë kemi suspendim praktik të rendit kushtetues dhe të demokracisë”, u shpreh ajo.
“Kuvendi është efektivisht i mbyllur, deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandateve të tyre. Këto mandate nuk na i ka dhënë Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Mandatet na i ka dhënë qytetari i Republikës së Kosovës më 7 qershor”, deklaroi Çitaku.
Çitaku ka thënë se PDK-ja nuk po kërkon pushtet apo marrëveshje politike për partinë, por funksionalizimin e institucioneve të shtetit. “Nuk po kërkojmë pushtet, nuk po kërkojmë marrëveshje për PDK-në, po kërkojmë funksionalizimin e shtetit. Ne sërish do të bëjmë kërkesë për seancë pas 48 orësh dhe aktiviteti ynë nuk do të kufizohet më brenda këtij institucioni. Ai do të zhvendoset edhe jashtë Kuvendit, në forma më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar”, tha ajo.









