Fundosja e tragetit në brigjet e Qipros, rrëfimi prekës i nënës

Facebook
WhatsApp

Një nga të mbijetuarit, Ahmet Asi, tregoi momentet dramatike që përjetoi në det. Ai tha se nuk dinte të notonte, por u detyrua të hidhej në ujë, duke mbajtur një jelek shpëtimi që ia kishte dhënë një pasagjer tjetër.

Vijon ankthi në Kirenia, në Qipron Veriore, ku familjarët e viktimave dhe personave të zhdukur nga fundosja e “Filo Jet” presin çdo informacion për fatin e të afërmve të tyre.

Mes të zhdukurve ka edhe fëmijë. Veçanërisht i rëndë është rasti i dy fëmijëve të së njëjtës familje, të cilët ndodheshin në anije së bashku me prindërit e tyre.

Në një video nga porti, nëna dhe babai shfaqen duke pritur lajme për fëmijët. Nëna, e tronditur, përshkruan me pak fjalë momentin e tragjedisë: “Dy fëmijët e mi më rrëshqitën nga duart. Nuk munda t’i mbaja.”

Me kalimin e orëve, video dhe dëshmi të reja nga fundosja po dalin në publik, duke treguar panikun që mbizotëroi gjatë incidentit dhe menjëherë pas tij.

Një nga të mbijetuarit, Ahmet Asi, tregoi momentet dramatike që përjetoi në det. Ai tha se nuk dinte të notonte, por u detyrua të hidhej në ujë, duke mbajtur një jelek shpëtimi që ia kishte dhënë një pasagjer tjetër.

Rëndësi të veçantë kanë edhe pretendimet e tij për paralajmërimet që dyshohet se ishin bërë përpara fundosjes. Sipas tij, pasagjerët kishin konstatuar se në anije po hynte ujë dhe kishin paralajmëruar për situatën, por nuk pati reagim në kohë.
Këto pretendime pritet të bëhen pjesë e hetimit për të përcaktuar rrethanat në të cilat ndodhi tragjedia.

Para gjykatës 16 të dyshuar

Ndërkohë, hetimet për fundosjen e tragetit vijojnë. 16 persona të dyshuar për fundosjen e “Filo Jet” janë paraqitur para gjykatës.

Mes tyre janë aksionari i kompanisë që zotëronte anijen, kapiteni, kapiteni i dytë, kryeinxhinieri, inxhinieri i dytë dhe anëtarë të ekuipazhit.

Gjatë procedurës u ngritën pyetje edhe për mirëmbajtjen e tragetit, ndërsa gjykatësi kërkoi të mësonte se kush mbante përgjegjësi për kryerjen e punimeve përkatëse.

Sipas informacioneve të paraqitura para gjykatës, punimet e mirëmbajtjes kishin përfunduar dhe miratimi përkatës ishte dhënë nga autoriteti portual në qershor të vitit 2026.

Fillimisht, në kuadër të hetimit, para drejtësisë u paraqitën nëntë persona. Më pas listës iu shtuan edhe shtatë të dyshuar të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 16.

Ndërsa familjet vajtojnë viktimat dhe presin lajme për personat e zhdukur, vëmendje ka tërhequr edhe informacioni se kompania që kryente këtë linjë detare dyshohet se po vazhdon udhëtimet.

Sipas mediave turkoqipriote, kompania Filo Denizcilik Şti. Ltd ka planifikuar një udhëtim të ri nga Kirenia drejt Taşucu më 1 shtator, në orën 14:00, ndërsa raportohet se biletat vazhdojnë të jenë në shitje edhe për ditët në vijim.

Ky fakt ngre pikëpyetje të tjera, ndërsa hetimet për tragjedinë vazhdojnë. Fundosja e “Filo Jet” ka lënë pas tetë viktima dhe 18 persona të zhdukur, ndërsa familjet vazhdojnë të presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick