GJKKO lë në burg Ergys Agasin: S’kam marrë pjesë në tenderë!

Facebook
WhatsApp

Avokati Maks Haxhia tregoi gjithashtu se Ergys Agasi ka folur para gjykatës dhe e ka përqendruar qëndrimin e tij te dyshimet për tenderët dhe grupin kriminal.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg Ergys Agasin, i quajtur ndryshe edhe ‘koordinatori i krimit’. GJKKO kishte caktuar më herët në mungesë ndaj Agasit masën e sigurisë “arrest në burg”.

Seanca e sotme u ndërpre përkohësisht pasi avokati i tij, Maks Haxhia, kërkoi kohë për t’u njohur me aktet e dosjes. Pas rifillimit të saj, gjykata vendosi të linte në fuqi masën e sigurisë.

Ndërkohë në përfundim të seancës, avokati i tij mbrojtës Maks Haxhia ka dhënë detaje mbi atë që ka ndodhur sot në GJKKO.

Sipas Haxhisë, një nga zhvillimet e seancës lidhet me akuzën për heqjen e paligjshme të lirisë. Avokati pretendon se analiza e provave të administruara dhe vendimeve të prokurorisë çoi në heqjen e kësaj akuze ndaj klientit të tij.

“Problemi është që akuza e heqjes së paligjshme të lirisë në drejtim të zotit Agasi, me analizat që iu bënë provave të administruara dhe vendimeve të prokurorisë, tregoi dhe çoi në çlirimin e kësaj akuze në ngarkim të zotit Agasi”, deklaroi Haxhia.

Mbrojtja bëri të ditur ndërkohë se ndaj Agasit është paraqitur akuza për korrupsion pasiv. Haxhia kundërshtoi bazën provuese të kësaj akuze dhe pretendoi se materiali i paraqitur deri tani nuk e mbështet atë.

“Akuza për korrupsion pasiv, pasiguria e materialit të paraqitur deri tani e ka ndjekur akuzën për të qëndruar në pozitat e presionit ndaj gjykatës. Sot u paraqit kjo akuzë”, tha avokati.

Haxhia tregoi gjithashtu se Ergys Agasi ka folur para gjykatës dhe e ka përqendruar qëndrimin e tij te dyshimet për tenderët dhe grupin kriminal.

“Klienti foli dhe dha shpjegime dhe insistoi e provoi se nuk ka qenë kurrë pjesëmarrës në tendera, nuk ka pasur asnjë përfitim nëpërmjet tenderimit dhe nuk ka qenë pjesë e grupeve kriminale në presione të ndryshme”, deklaroi Haxhia.

Agasi kërkohej që prej dhjetorit 2025. Gjatë operacionit të 16 dhjetorit, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Policia ushtruan kontrolle në ambiente të lidhura me të, por nuk e gjetën biznesmenin.

Prej atij momenti ai qëndroi në arrati për rreth tetë muaj. Policia e lokalizoi këtë javë në Elbasan, ku dyshohet se kishte qëndruar gjatë periudhës së arratisë. Në operacion u angazhuan BKH, FNSH dhe Shqiponjat. Forcat e policisë e ndoqën automjetin me të cilin Agasi udhëtonte nga Elbasani drejt Durrësit dhe ndërhynë në zonën e Plepave.

Agasi udhëtonte me një “Audi RS6”, automjet me vlerë të raportuar rreth 100 mijë euro. Brenda makinës policia gjeti edhe rreth 4 mijë euro cash.

Me të ndodhej Uljan Shpataraku, ish-zyrtar i Policisë së Elbasanit. Edhe Shpataraku ishte shpallur në kërkim, pasi disa javë më parë kishte kërcënuar me jetë punonjësit e një hoteli në jug.

Policia e arrestoi atë edhe nën dyshimin për përkrahje të autorit të krimit, për shkak të shoqërimit të Agasit gjatë kohës kur ky i fundit kërkohej nga autoritetet.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick