Google ka përfunduar një përditësim të gjerë të imazheve të Google Street View në Shqipëri, duke sjellë pamje të reja panoramike dhe me cilësi më të lartë nga qytetet, rrugët, zonat turistike dhe peizazhet natyrore të vendit.
Përditësimi është pjesë e një projekti rajonal që përfshin edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Gjatë këtij procesi, automjetet e Google kanë përshkuar mbi 103 mijë kilometra për të mbledhur imazhe të reja, për të zgjeruar mbulimin dhe për të përmirësuar informacionin në Google Maps.
Përdoruesit tashmë mund të eksplorojnë virtualisht shumë prej vendeve më të njohura të Shqipërisë përmes pamjeve 360 gradë, duke përfshirë qendrat urbane si Tirana, Durrësi dhe Vlora, si dhe destinacione të rëndësishme turistike e kulturore.
Në përditësim janë përfshirë edhe pamje nga Berati, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO, si dhe nga Syri i Kaltër, një nga atraksionet natyrore më të vizituara në vend.
Ky zhvillim pritet të ndikojë pozitivisht në turizëm, duke u dhënë udhëtarëve mundësinë të njihen paraprakisht me destinacionet dhe të planifikojnë më mirë itineraret e tyre. Përfitime priten edhe për bizneset lokale, të cilat do të kenë një prezantim më të përditësuar në hartat digjitale.
Në kushtet e rritjes së numrit të vizitorëve në Shqipëri, mjetet digjitale po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në promovimin e vendit. Google ka bërë të ditur se, për respektimin e privatësisë, fytyrat e personave dhe targat e automjeteve mjegullohen automatikisht përpara publikimit të imazheve.









