Greqia i rikthehet çështjes së detit: Këmbëngul për zgjerim 12 milje

Facebook
WhatsApp

Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, rikonfirmon qëndrimin e Athinës për zgjerimin e ujërave territoriale në 12 milje detare, duke theksuar se Greqia do ta ushtrojë këtë të drejtë në kohën dhe mënyrën që do të zgjedhë vetë. Deklaratat vijnë përpara takimit me homologun shqiptar, Ferit Hoxha, ndërsa çështja e kufirit detar mes dy vendeve mbetet e pazgjidhur.

Greqia i rikthehet çështjes së zgjerimit të ujërave territoriale në Detin Jon, duke përsëritur qëndrimin se shtrirja deri në 12 milje detare përbën një të drejtë të patjetërsueshme dhe të njëanshme të shtetit grek. Athina sinjalizon se do të vijojë politikën e saj për zgjerimin e hapësirave detare, ndërsa çështja e delimitimit të kufirit detar me Shqipërinë vazhdon të mbetet e hapur.

Në një intervistë për gazetën greke Ta Nea, të publikuar më 21 nëntor, dy ditë përpara takimit me ministrin shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, kreu i diplomacisë greke, Giorgos Gerapetritis, deklaroi se qeveria greke po përgatitet në mënyrë metodike për mbrojtjen e interesave kombëtare.

Gerapetritis theksoi se zgjerimi i ujërave territoriale është një e drejtë që buron nga e drejta ndërkombëtare dhe se vendimi për ushtrimin e saj i takon shtetit grek.

“E kam thënë shumë herë, zgjerimi i ujërave territoriale deri në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme e Greqisë që rrjedh nga e Drejta Ndërkombëtare e Detit, dhe ushtrimi i saj do të kryhet në mënyrën dhe në kohën e zgjedhur nga shteti grek. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ne kemi një plan dhe po përgatitemi metodikisht për të mbrojtur interesat kombëtare të atdheut në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi ministri i Jashtëm grek.

Ai iu referua edhe hapave të ndërmarrë deri më tani nga Athina, duke përmendur zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Jon deri në Kepin Tainaro, si dhe politikat greke në Egje dhe Mesdheun Lindor.

overlay-clevercloseLogo
“Strategjia jonë është reflektuar tashmë në nisma specifike, siç është zgjerimi i ujërave tona territoriale në Detin Jon dhe deri në Kepin Tainaro, zbatimi i argumenteve tona në Egje dhe Mesdheun Lindor, forcimi i prestigjit ndërkombëtar të vendit dhe përmirësimi i kapacitetit tonë parandalues. Asnjë qeveri tjetër nuk ka guxuar të bëjë kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër politike. Greqia është rritur dhe do të vazhdojë të rritet”, u shpreh Gerapetritis.

Deklaratat e kryediplomatit grek vijnë në një moment kur marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës vijojnë të kenë si një nga çështjet e pazgjidhura përcaktimin e kufirit detar në Detin Jon.

Çështja e detit ka qenë prej vitesh një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Në vitin 2009, Shqipëria dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje për delimitimin e hapësirave detare, por ajo u rrëzua në vitin 2010 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila konstatoi shkelje kushtetuese dhe procedurale.

Një dekadë më vonë, në tetor të vitit 2020, Tirana dhe Athina njoftuan se kishin rënë dakord në parim për t’ia referuar mosmarrëveshjen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Megjithatë, procesi nuk është finalizuar dhe kufiri detar mes dy vendeve mbetet ende i papërcaktuar përfundimisht.

Nga ana tjetër, në vitin 2021, Parlamenti grek miratoi zgjerimin e ujërave territoriale nga 6 në 12 milje detare në pjesën përkatëse të Detit Jon, një vendim që Athina e paraqiti si ushtrim të së drejtës së saj sovrane sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.

Konventa u njeh shteteve bregdetare të drejtën të përcaktojnë gjerësinë e detit territorial deri në 12 milje detare. Megjithatë, në rastet kur brigjet e dy shteteve janë përballë ose ngjitur me njëri-tjetrin, delimitimi i hapësirave që mbivendosen duhet të bëhet në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick