Haga ka shpallur fajtor Hashim Thaçin për disa pika të aktakuzës në rastin për pengim të drejtësisë. Gjyqtari Christopher Gosnell shqiptoi ndaj tij një dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim.
Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur sot fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor për pengim të drejtësisë. Konkretisht trupi gjykues e shpalli Thaçin fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, në bashkëpunim, si dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Për këto vepra penale, gjykata vendosi një dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim. Ndërkohë, për disa pika të tjera të aktakuzës, që lidhen me tentativën për pengimin e personave zyrtarë dhe mosbindjen ndaj gjykatës, trupi gjykues e shpalli Thaçin të pafajshëm.
“Hashim Thaçi, unë ju shpall fajtor për tentativë pengimi të personave zyrtare për pengimin e detyrave zyrtarë në bashkëpunim. Fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe fajtor për mosbindjen ndaj gjykatës. Ju shpall të pafajshëm për tentativë për pengim të personave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Dënoheni me dënim të njëhsuar prej 17 muajsh burgim”, u shpreh gjykatësi.
Dënimi prej 17 muajsh i shtohet dënimit prej 25 vitesh burg, që ish-presidenti i Kosovës ka marrë disa muaj më parë. Në të njëjtin proces gjyqësor, ku Gjykata Speciale në Hagë dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi me 17 muaj burg për pengim të drejtësisë, trupi gjykues dha vendime edhe për të akuzuarit e tjerë.
Bashkim Smakaj u dënua me 12 muaj burgim, ndërsa Hajredin Kuçi mori një muaj burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës. Ndërkohë, gjykata shpalli të pafajshëm Isni Kilajn dhe urdhëroi lirimin e tij pas përfundimit të seancës.
Sipas Prokurorisë, çështja lidhet me përpjekjet e pretenduara të pesë të akuzuarve për të ndikuar te dëshmitarët në procesin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.









