Zalla është i dyshuar si bashkëpunëtor në atentatin e Rinasit dhe i shpallur në kërkim pas zbulimit të arsenalit të armëve më 20 shkurt të këtij viti.
I shumëkërkuari, Ylli Zalla, është arrestuar këtë të hënë në Krujë. Zalla ishte fshehur në një banesë tjetër në afërsi të shtëpisë së tij në Zallë të Fushë-Krujës. Në momentin e arrestimit, i shumëkërkuari ka qenë i armatosur me kallashnikov e fishekë.
Një ditë më parë, në derën e banesës së Ylli Zallës u vendos një sasi lëndë plasëse. Si pasojë e shpërthimit u shkaktuan dëme materiale në banesë dhe u shkrumbua edhe automjeti në pronësi të Zallës, i cili ishte i parkuar pranë banesës. Lidhur me ngjarjen, autoritetet dyshojnë se kjo situatë është bërë nga vetë Zalla, por megjithatë kjo pistë po hetohet.
Ylli Zalla prej vitit 2025 ishte në kërkim nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorët që morën pjesë në vrasjen e dy personave në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, alias “Sheqeri”.
Në kuadër të hetimeve, pak muaj më parë, gjatë kontrollit në banesën e Ylli Zallës, shërbimet e policisë gjetën një sasi të konsiderueshme armësh dhe lëndësh plasëse. Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, në banesë u sekuestruan 3 kallëpe tritoli, 12 granata dore, 4 armë zjarri, rreth 6 mijë fishekë, 5 bomba me telekomandë, si dhe mbi 2 kilogramë kanabis.
Njoftimi i Ministrisë
Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë. Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit









