Në momentin kur flakët përfshinë banesën, brenda ndodheshin katër persona: prindërit e bashkëjetueses së Idrizit, vajza e tyre dhe fëmija i çiftit. Dy bashkëshortët, Ismete Ziu, 65 vjeçe, dhe Agim Ziu, 68 vjeç, nuk arritën t’u mbijetonin pasojave të zjarrit dhe humbën jetën.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure në zonën e Shkozës, në Tiranë, ku dy bashkëshortë kanë humbur jetën pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët. Policia dyshon se zjarrin e ka vënë qëllimisht bashkëjetuesi i vajzës së viktimave, 35-vjeçari Astrit Idrizi, i cili është arrestuar.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 00:30 të datës 14 tetor, në banesat sociale në rrugën “Ali Shefqeti”. Pas njoftimit për zjarrin, efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 mbërritën në vendngjarje dhe nisën hetimet për të zbardhur rrethanat.
Viktimat janë identifikuar si Ismete Ziu, 65 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj, Agim Ziu, 68 vjeç. Të dy u transportuan në spital pas zjarrit, por pavarësisht ndihmës mjekësore, nuk arritën t’u mbijetonin dëmtimeve të marra.
Nga hetimet paraprake dhe këqyrja e vendngjarjes, ekspertët kriminalistë kanë ngritur dyshime se 35-vjeçari Astrit Idrizi i ka vënë zjarrin banesës ku jetonin prindërit e bashkëjetueses së tij.
Sipas burimeve, mes Idrizit dhe bashkëjetueses së tij, me të cilën ka edhe një fëmijë, prej kohësh kishin lindur mosmarrëveshje.
Mësohet se 35-vjeçari dyshonte se partnerja e tradhtonte, çka, sipas të njëjtave burime, kishte sjellë debate të përsëritura dhe më pas largimin e tyre nga njëri-tjetri.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që konfliktet në çift të kenë lidhje me zjarrvënien, megjithëse motivi i ngjarjes ende nuk është përcaktuar.
Në momentin kur flakët përfshinë banesën, brenda ndodheshin katër persona: prindërit e bashkëjetueses së Idrizit, vajza e tyre dhe fëmija i çiftit.
Dy bashkëshortët, Ismete Ziu, 65 vjeçe, dhe Agim Ziu, 68 vjeç, nuk arritën t’u mbijetonin pasojave të zjarrit dhe humbën jetën.
Ndërkohë, zjarrfikësit dhe efektivët e policisë ndërhynë për të nxjerrë nga banesa vajzën e viktimave dhe fëmijën e saj. Të dy morën ndihmë mjekësore në spital dhe, sipas informacioneve të raportuara, ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.









