Ikën Gonzato, kush është ambasadorja e re e BE-së në Tiranë

Facebook
WhatsApp

Ambasadorja e re vjen në Shqipëri pas një karriere të gjatë në institucionet europiane dhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, gjatë së cilës ka ushtruar një sërë funksionesh të rëndësishme.

Sofia Moreira de Sousa është ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Shqipëri. Diplomatja portugeze pritet të dorëzojë sot letrat kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht detyrën e saj në Tiranë.

Moreira de Sousa pason në këtë post diplomatin italian Silvio Gonzato, i cili ka drejtuar Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri gjatë viteve të fundit.

Ambasadorja e re vjen në Shqipëri pas një karriere të gjatë në institucionet europiane dhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, gjatë së cilës ka ushtruar një sërë funksionesh të rëndësishme.

Përpara emërimit në Tiranë, Moreira de Sousa ka drejtuar Përfaqësinë e Komisionit Europian në Portugali, detyrë të cilën e mori në shtator të vitit 2021.

Më herët, ajo ka shërbyer për katër vjet si ambasadore e BE-së dhe shefe e Delegacionit të Bashkimit Europian në Republikën e Kepit të Gjelbër.

Përvoja e saj diplomatike përfshin edhe angazhime të tjera në Afrikë. Moreira de Sousa ka mbajtur postin e zëvendëskryetares së Delegacionit të BE-së në Afrikën e Jugut, ndërsa gjatë periudhës 2009-2011 ka shërbyer në Delegacionin e Bashkimit Europian pranë Bashkimit Afrikan në Addis Ababa.

Gjatë kësaj periudhe, ajo është angazhuar me zhvillimet politike dhe proceset e integrimit rajonal në Afrikë, si dhe me partneritetin strategjik ndërmjet Bashkimit Europian dhe vendeve afrikane.

Nga Rusia dhe Ukraina te Kaukazi dhe Irani

Një pjesë e karrierës së Moreira de Sousës lidhet edhe me çështje të rëndësishme të politikës së jashtme europiane. Nga viti 2003 deri në vitin 2007, ajo ka qenë pjesë e ekipit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Javier Solana, ku është fokusuar kryesisht në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Rusinë dhe Ukrainën.

Diplomatja portugeze ka qenë gjithashtu pjesë e përpjekjeve europiane për ndërmjetësimin e krizës politike në Ukrainë pas Revolucionit Portokalli të vitit 2004.

Gjatë viteve 2005-2006, ajo ka shërbyer si këshilltare e lartë e Përfaqësuesit Special të BE-së për Kaukazin, duke u angazhuar drejtpërdrejt me zhvillimet politike në këtë rajon.

Më pas, deri në vitin 2014, Moreira de Sousa ka qenë këshilltare e lartë e zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të BE-së dhe pjesë e strukturave të angazhuara në negociatat për çështjet që lidheshin me Iranin, si dhe në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Partnerët Lindorë.

Nga drejtësia te diplomacia europiane

Karriera profesionale e Sofia Moreira de Sousës nuk ka nisur drejtpërdrejt në diplomaci. Në fillimet e saj, ajo ka punuar në departamentin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Agjencisë Europiane të Hapësirës, ku është marrë me aspektet ndërkombëtare të programit satelitor Galileo.

Ajo ka drejtuar gjithashtu programe trajnimi në Akademinë e Drejtësisë Europiane në Trier të Gjermanisë, duke u angazhuar në përgatitjen e kurseve për gjyqtarë dhe magjistratë mbi të drejtën dhe jurisprudencën europiane.

Përpara angazhimit në institucionet europiane, Moreira de Sousa ka ushtruar për dy vjet profesionin e avokates në një studio ligjore në Porto, qyteti ku ka lindur.

Diplomatja portugeze ka studiuar drejtësi në Portugali dhe ka përfunduar një program LLM në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Hamburgut, në Gjermani.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick