Incidenti në Vlorë, Hita: Po hetojmë versionet e të dyja palëve 

Facebook
WhatsApp

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, hetimet kanë vijuar për orë të tëra dhe veprimet procedurale vazhdojnë edhe këtë të premte, në bashkëpunim me Prokurorinë. Ndërsa Ministri i Brendshëm Besfor Lamallari u shprej se hetimet e policisë dhe prokurorisë së vlorës vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të përplasjes.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar nga Kukësi për përplasjen e 3 shtatorit në Radhimë të Vlorës, ku u përfshinë biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bedinaj.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30 në ambientet e hotelit “Regina Palm”, në pronësi të Bedinajt. Policia e Vlorës deklaroi pas veprimeve të para hetimore se arrestoi pesë persona dhe shpalli gjashtë të tjerë në kërkim. Mes të arrestuarve është edhe Luan Muça, pronar i “Delta Group”.

Hita deklaroi se strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe arritën të ndalonin dhe arrestonin në flagrancë disa prej personave të përfshirë.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, hetimet kanë vijuar për orë të tëra dhe veprimet procedurale vazhdojnë edhe këtë të premte, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Hita u ndal edhe te versionet e ndryshme të dhëna për konfliktin, duke theksuar se policia po verifikon pretendimet e të gjitha palëve të përfshira.

Policia deklaroi se gjatë ngjarjes pati dhunë fizike dhe të shtëna me armë. Sipas të njëjtit njoftim, Angjelo Breshani dyshohet se mori armën që Vasil Bedinaj e posedonte me leje dhe qëlloi në drejtim të automjeteve të personave të tjerë të përfshirë në konflikt. Policia sekuestroi një armë zjarri dhe municion, ndërsa një automjet “Audi A8”, i dyshuar si i përdorur nga personat e përfshirë, u gjet duke u djegur pranë Kaninës.

“Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë në masën e arrestit në flagrancë.

Vazhdoi hetimi për orë të tëra dhe, edhe në këto momente që jemi së bashku, vazhdojnë veprimet procedurale, edhe në bashkëpunim me prokurorinë.

Është një ngjarje që vërtet ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e policisë, edhe në deklaratën e parë që u dha dje nga drejtori vendor, vazhdon verifikimi i pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve”, tha Hita.

Ndërsa Ministri i Brendshëm Besfor Lamallari u shprej se hetimet e policisë dhe prokurorisë së vlorës vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të përplasjes.

“Ajo çfarë është e rëndësishme, pa hyrë në çështje operacionale, që i takojnë Policisë së Shtetit, është reagimi i menjëhershëm, i shpejtë i Policisë së Shtetit.

Siç e tha drejtori, edhe tani që po flasim vijojnë veprimet hetimore. Pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do të gjenden dhe do të vihen para drejtësisë.

Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit dhe të gjitha udhëzimeve të prokurorit të çështjes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe, patjetër, për vënien para përgjegjësisë të autorëve të përfshirë në këtë situatë.”

Hetimet e Policisë së Vlorës dhe Prokurorisë vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të përplasjes, rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe motivin e konfliktit. Deri në përfundimin e hetimeve dhe një vendim gjyqësor të formës së prerë, pretendimet e palëve dhe dyshimet e ngritura nga organet hetimore nuk përbëjnë përcaktim përfundimtar të përgjegjësisë penale”, tha ministri.


Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick