Ironi dhe sfidë qeverisë në protestën e 31-të

Facebook
WhatsApp

Pankartat dominuan marshimin drejt Kryeministrisë, ndërsa protestuesit paralajmëruan aksion para SPAK-ut me dorëzimin simbolik të “The Albanian Files”.

rotesta qytetare kundër qeverisë vijoi edhe këtë mbrëmje, duke hyrë në ditën e saj të 31-të. Qindra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe u përsëritën kërkesat për përgjegjësi politike dhe institucionale.

Ashtu si në ditët e mëparshme, pankartat me slogane ironike, fotomontazhe dhe mesazhe politike u kthyen në simbolin më të spikatur të protestës, duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve dhe kalimtarëve.

Një nga pankartat më të komentura mbante mbishkrimin “Wanted”, ndërsa një tjetër i drejtohej Prokurorisë së Posaçme me mesazhin në anglisht: “SPAK, what are you waiting for? Justice can’t wait”, duke kërkuar veprime konkrete nga organi i akuzës.

Mes pankartave të ekspozuara spikatën edhe sloganet: 31 ditë. Rama poston. Balluku shijon. Populli proteston”, “Populli dhunohet, Balluku nderohet”, si dhe mesazhi: “Sa më shumë na përqeshni, aq më shumë rritemi. Populli nuk përqeshet. Ai zgjohet!”

Protestuesit mbanin gjithashtu pankarta me thirrje të drejtpërdrejta për dorëheqje, mes tyre “We know what you did… Dorëhiqu”, ndërsa një tjetër rikthente në vëmendje tragjedinë e Gërdecit dhe debatet për investimet strategjike me mesazhin: “Dje na vranë me shpërthime, sot na vjedhin me ‘investime'”.

Në mesin e mesazheve u shfaq edhe pankarta “35 vjet pushtet. Tre emra. Një fat: Llogaridhënia”, e shoqëruar me fotomontazhe figurash politike, si dhe thirrja: “O Ramë, bën mirë të dëgjosh, ndryshe këtu do përfundosh!”

Brohoritjet dhe valëvitja e flamujve kombëtarë shoqëruan marshimin përgjatë rrugëve kryesore të kryeqytetit, ndërsa organizatorët konfirmuan se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Paralajmërim për aksion para SPAK-ut

Nga tribuna e protestës, organizatori Edison Lika njoftoi se të martën, në orën 10:00, protestuesit do të mblidhen përpara godinës së SPAK-ut, ku do të dorëzojnë simbolikisht librin “The Albanian Files”, të cilin e konsiderojnë një material që duhet të shërbejë si bazë për hetime.

“Do të vijojmë me aksionet paradite. Në orën 10:00 do të jemi te SPAK-u për të dorëzuar ‘The Albanian Files’. Ftojmë të gjithë qytetarët ta firmosin këtë kopje, si simbol i kërkesës sonë për drejtësi dhe llogaridhënie”, deklaroi Lika para protestuesve.

Pas thirrjes së organizatorëve, qytetarët nisën të firmosin simbolikisht kopjen e librit, e cila, sipas tyre, do t’i dorëzohet SPAK-ut gjatë aksionit të paralajmëruar.

Organizatorët theksuan se protestat dhe aksionet qytetare do të vijojnë në ditët në vijim, me synimin për të rritur presionin ndaj institucioneve që, sipas tyre, duhet të hetojnë aferat që lidhen me qeverinë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick