Islanda i thotë “Jo” BE-së, votuesit refuzojnë rinisjen e negociatave

Facebook
WhatsApp

Sipas Bloomberg, referendumi përbënte një “provë të rëndësisë” së Bashkimit Europian: sa peshë ka ende BE-ja në rendin e ri botëror, nëse edhe një shtet i pasur dhe i lirë si Islanda heziton të afrohet me të.

Zërin më të fuqishëm kundër e dhanë rajonet veriperëndimore të Islandës, zonat më të largëta nga kryeqyteti ku fitoi kampi i “Po”-së por edhe më të distancuara gjeografikisht nga Europa. Në këtë pjesë të vendit, përballë Grenlandës, e njohur për fjordet, akullnajat dhe mbi të gjitha për peshkimin, 62,87% e votuesve u shprehën kundër edhe vetë mundësisë së rihapjes së negociatave me Bashkimin Europian për një anëtarësim të mundshëm. Me pak fjalë: as që bëhet fjalë.

Numërimi i votave në pjesën tjetër të vendit u mbyll gjatë natës, rreth orës 04:30. Të shtunën, islandezët iu drejtuan kutive të votimit për të vendosur nëse vendi duhet të rifillonte negociatat me BE-në, ndërsa të dielën u zgjuan me një “jo” të qartë. Diferenca nuk është e thellë, por as minimale: 52,54% votuan “nej” (jo), kundrejt 47,46% që zgjodhën “jà” (po). “Përgjigjja është jo”, shkruante në titull portali informativ Visir.

Pas muajsh debatesh dhe 13 vitesh nga pezullimi i negociatave me Brukselin, të shtunën u zhvillua referendumi i shumëpritur. Pyetja e shtruar para qytetarëve ishte e drejtpërdrejtë: “A duhet Islanda të rifillojë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian?”. Po aq e drejtpërdrejtë ishte edhe përgjigjja: “jo”.

Edhe sondazhet e fundit i kishin dhënë avantazh kampit të “Jo”-së, me 51,6%, përballë 48,4% të kampit të “Po”-së. Pjesëmarrja në votime rezultoi më e ulët. Në Reykjavik votuan 55% e qytetarëve me të drejtë vote. Në një vend me rreth 400 mijë banorë, elektorati përbëhet nga afërsisht 270 mijë persona, ndërsa pjesëmarrja ishte pesë pikë përqindjeje më e ulët krahasuar me vitet e mëparshme.

“Rezultati ishte i paparashikueshëm deri në fund”, tha analisti politik Elías Þórsson. “Por në javët e fundit mbështetja për ‘Jo’-në ishte rritur.”

Kampi kundër rifillimit të negociatave kaloi në avantazh që në orët e para të së dielës. Sipas të dhënave të fundit të konfirmuara nga transmetuesi publik islandez RÚV, të përditësuara në orën 06:39, “Jo”-ja siguroi 52,5% të votave, ose 99.037 vota, ndërsa “Po”-ja mori 47,5%, me 89.459 vota. Fletët e bardha dhe ato të pavlefshme ishin 1.200, ose 0,6% e totalit.

Islandezët që votuan “Jo”, të përshkruar nga mediat si balenierë dhe blegtorë të zonave malore, në kontrast me të rinjtë kozmopolitë dhe proeuropianë të Reykjavikut, në fakt nuk votuan drejtpërdrejt kundër anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ata hodhën poshtë vetë mundësinë e rifillimit të negociatave me Brukselin, një proces që, nëse do të hapej, do të kërkonte gjithsesi edhe 18 deri në 24 muaj. Bisedimet kishin nisur në vitin 2009, pas krizës financiare që u kushtoi bankave islandeze rreth 20 miliardë dollarë, për t’u pezulluar më pas në vitin 2013.

Edhe atëherë, një rol vendimtar pati qëndrimi i industrisë së peshkimit. Kompanitë e këtij sektori, që përfaqësojnë 5,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe rreth 40% të eksporteve të vendit, druhen se anëtarësimi do t’i detyronte të zbatonin rregulla më të forta europiane dhe kuota peshkimi mbi të cilat nuk do të kishin më kontroll të plotë. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian, i cili nuk ia ka mbyllur asnjëherë derën Islandës, kishte dhënë sinjale fleksibiliteti. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka ritheksuar së fundmi se “negociatat pasqyrojnë realitetin e vendeve kandidate”. Megjithatë, rezultati i referendumit tregoi se ky mesazh nuk mjaftoi për të bindur shumicën.

Rezultati pritet të shkaktojë zhgënjim në Bruksel. Islanda është një vend me të ardhura të larta, ekonomi të qëndrueshme dhe institucione demokratike të konsoliduara. Ajo është tashmë pjesë e tregut të përbashkët europian dhe e zonës Schengen, ndërsa zbaton një pjesë të konsiderueshme të legjislacionit të BE-së. Për institucionet europiane, vendi shihej si një kandidat model dhe një kontribuues i rëndësishëm i mundshëm në buxhetin e unionit. Anëtarësimi i Islandës mund të shërbente gjithashtu si shtysë për një afrim të mundshëm të Norvegjisë me BE-në. Për Brukselin, pranimi i saj do të përbënte njëkohësisht një sinjal për vendet kandidate, përfshirë ato të Ballkanit dhe Ukrainën, se anëtarësimi në Bashkimin Europian mund të arrihet mbi bazën e meritës.

Sipas Bloomberg, referendumi përbënte një “provë të rëndësisë” së Bashkimit Europian: sa peshë ka ende BE-ja në rendin e ri botëror, nëse edhe një shtet i pasur dhe i lirë si Islanda heziton të afrohet me të.

Kampi i “Po”-së kishte mbështetjen e hapur të qeverisë së kryeministres socialdemokrate Kristrún Frostadóttir. E zgjedhur në vitin 2024, ajo kishte premtuar se referendumi do të zhvillohej brenda vitit 2027. Një nga faktorët që përshpejtoi procesin, sipas artikullit, ishin pretendimet e Donald Trump për Grenlandën, e cila ndodhet vetëm 300 kilometra në perëndim të Islandës dhe është më pranë saj sesa vetë Europa. Artikulli kujton gjithashtu se Trump, së fundmi në Davos, i kishte ngatërruar dy ishujt.

“Në fund të fundit janë dy ishuj të ngjashëm”, tha për CNBC profesori Eiríkur Bergmann i Universitetit Bifröst. Sipas tij, të dy zotërojnë burime natyrore, ndodhen pranë rrugëve detare që po bëhen gjithnjë e më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akullnajave dhe, mbi të gjitha, kanë një rëndësi të madhe strategjike në një periudhë kur Arktiku po tërheq gjithnjë e më shumë interesin e Rusisë dhe Kinës. “I vetmi ndryshim është se Islanda është e pavarur”, tha ai.

Megjithatë, Islanda nuk ka ushtri dhe siguria e saj mbështetet plotësisht te forcat e NATO-s të vendosura në bazën e vogël të Keflavikut, pranë aeroportit civil. Ministrja e Jashtme Þorgerður Gunnarsdóttir deklaroi se “rendi botëror që na mbante të sigurt dhe të begatë është nën kërcënim” dhe se “në kohë si këto, vendet e vogla duhet të mendojnë mirë se ku duan të jenë dhe me kë”.

Një tjetër argument i fortë i kampit të “Po”-së lidhej me paqëndrueshmërinë monetare. Mbështetësit e anëtarësimit pretendonin se hyrja në euro do t’i mbronte qytetarët nga luhatjet e koronës islandeze, e cila aktualisht vlen rreth 0,0071 euro.

Islanda konsiderohet vendi më i shtrenjtë në Europë. Një udhëtim me taksi nga aeroporti drejt qendrës kushton rreth 200 euro, një kafe rreth 8 euro, një birrë 18 euro, ndërsa qiraja mujore mund të arrijë rreth 2 mijë euro. Këto çmime lidhen me inflacionin e lartë dhe faktin se, që prej krizës financiare të vitit 2008, zhvlerësimi i koronës është përdorur si një prej instrumenteve kryesore të politikës monetare. Nga ana tjetër, edhe pagat janë shumë të larta, me një mesatare prej rreth një milion koronash në muaj, ose afërsisht 7 mijë euro.

Kostoja e jetesës ishte ndër temat kryesore të fushatës. Gazetarja Alda Sigmundsdottir, në buletinin e saj Letter from Iceland, shkruan se kundërshtarët më të mëdhenj të BE-së tregtojnë tashmë në euro ose dollarë dhe përfitojnë nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare, në ndryshim nga qytetarët e zakonshëm, të cilët humbasin fuqi blerëse. Megjithatë, sipas analistit Elías Þórsson, as këto argumente nuk arritën të bindnin një pjesë të madhe të votuesve, pasi përfitimet e mundshme vazhdonin të perceptoheshin si hipotetike.

Në referendum nuk u votua për ndonjë marrëveshje konkrete dhe as për një tekst apo draft negociatash. Në rast se do të kishte fituar kampi i “Po”-së, bisedimet me Bashkimin Europian thjesht do të rifillonin. Pas përfundimit të tyre, qytetarët do të thirreshin sërish në një referendum të dytë për të vendosur nëse do t’i pranonin ose jo rezultatet e negociatave.

Mes komiteteve që mbështetën “Po”-në ishte edhe grupi i quajtur “Po për të parë”, i ngritur mbi idenë se Islanda duhet të dëgjonte fillimisht se çfarë do t’i ofronte Brukseli dhe vetëm më pas të merrte vendimin përfundimtar. Negociatat e nisura në vitin 2009 kishin avancuar me shpejtësi: nga 35 kapitujt e procesit, 27 ishin hapur dhe 11 prej tyre ishin mbyllur.

Megjithatë, sipas analistit Elías Þórsson, gjatë fushatës mbizotëroi “një ndjenjë pavarësie pothuajse nacionaliste”. Që prej fitimit të pavarësisë nga Danimarka në vitin 1944, islandezët kanë mbështetur për shumë vite Partinë konservatore të Pavarësisë, e cila kundërshton afrimin e vendit me Bashkimin Europian.

Qeveria aktuale, e cila u rreshtua në krah të kampit të “Po”-së, përbën vetëm përjashtimin e dytë në tetëdhjetë vitet e fundit dhe, sipas artikullit, tashmë mund të përballet me pasoja politike pas humbjes së referendumit.

Në mitingun përmbyllës të kampit të “Jo”-së, deputetja Sigríður María Egilsdóttir deklaroi: “Ne jemi populli që mbrojti zonat tona të peshkimit përballë flotave të fuqive botërore dhe fituam. Tri herë. Jemi populli që u ngrit sërish në këmbë pas një kolapsi ekonomik brenda një dekade.”

Në fund, ky ishte edhe mesazhi që duket se gjeti jehonën më të madhe te votuesit islandezë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick