KE: Dënojmë dhunën, ndërhyrja e policisë të jetë proporcionale!

Facebook
WhatsApp

Në deklaratën e tij, Komisioni Europian thekson se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, por nënvizon njëkohësisht se reagimi i forcave të rendit duhet të mbetet brenda kuadrit ligjor dhe të jetë proporcional.

Brukseli shpreh shqetësim për përplasjet në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Komisioni Europian dënon zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës, ndërsa kërkon që autoritetet të respektojnë të drejtën e protestës dhe të veprojnë brenda ligjit.

Komisioni Europian ka reaguar për protestat dhe përplasjet e dhunshme që po zhvillohen në Shqipëri, duke dënuar sulmet ndaj institucioneve shtetërore, zjarrvëniet dhe dëmtimin e pronës publike e private.

Në deklaratën e tij, Komisioni Europian thekson se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, por nënvizon njëkohësisht se reagimi i forcave të rendit duhet të mbetet brenda kuadrit ligjor dhe të jetë proporcional.

“Dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvënien, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kuadrit ligjor dhe të jetë proporcional”, thuhet në deklaratë.

Brukseli kërkon gjithashtu që autoritetet të vendosin përpara përgjegjësisë personat që kanë kryer shkelje, duke respektuar procedurat ligjore.

“Personat përgjegjës duhet të japin llogari përmes një procesi të rregullt ligjor”, thekson Komisioni Europian.

Në reagim, institucioni europian i kushton vëmendje të veçantë lirisë së tubimit dhe të shprehjes, duke i cilësuar ato të drejta themelore dhe vlera thelbësore të Bashkimit Europian.

“Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore europiane, të cilat duhen respektuar dhe ushtruar në mënyrë paqësore”, thuhet më tej.

Komisioni Europian mirëpret angazhimin e autoriteteve shqiptare për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të protestuar, ndërsa kërkon që pakënaqësitë të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe paqësor.

“Në një vend kandidat, të angazhuar vendosmërisht në procesin e anëtarësimit në BE dhe që po shënon përparim të rëndësishëm në rrugën e tij drejt BE-së, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore”, thekson deklarata.

Reagimi vjen në ditën e gjashtë të protestave kundër qeverisë së Edi Ramës, gjatë së cilës Tirana është përfshirë nga përplasje të forta mes demonstruesve dhe policisë. Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse, ndërsa nga radhët e protestuesve janë hedhur gurë, mjete tymuese dhe koktej Molotov.

Ndryshe nga thirrja e Unionit Ndërkombëtar Demokratik për zgjedhje të parakohshme, deklarata e Komisionit Europian nuk përmban një kërkesë të tillë. Brukseli përqendrohet te ndalimi i dhunës, proporcionaliteti i ndërhyrjes policore, respektimi i lirive themelore dhe zgjidhja e pakënaqësive përmes dialogut.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick