Kërkoi lirimin nga qelia, Apeli i GJKKO “rrëzon” Ilir Metën

Facebook
WhatsApp

Seanca në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua mes tensioneve dhe debateve të vazhdueshme në sallë. Gjykata ndërhyri disa herë për të ruajtur rendin procedural, ndërsa u vendos edhe gjobë për shkelje të solemnitetit të procesit.

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për zëvendësimin e masës së sigurisë dhe lirimin nga qelia. Meta vijon të mbahet në masën “arrest në burg”, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për akuza që përfshijnë korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim e fshehje pasurie.

Ndërkohë, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar seanca e radhës ndaj tij, e cila është shoqëruar me debate mes palëve. Meta ka qenë i pranishëm në sallë dhe është përfshirë në replika me trupin gjykues, duke kundërshtuar mënyrën e zhvillimit të seancës dhe rendin e fjalës. Ai ka pretenduar se është kufizuar në dhënien e sqarimeve, ndërsa gjykata ka theksuar se prokuroria duhet të përfundojë parashtrimin para mbrojtjes.

Prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, ka paraqitur detaje mbi hetimet që lidhen me lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, të dhënat e publikuara në sistemin FARA të Departamentit të Drejtësisë amerikane tregojnë kontrata të një kompanie lobimi, DSIS, e cila ka raportuar aktivitete për llogari të LSI-së. Hetimi ngre dyshime për pagesa të pjesshme dhe mospërputhje financiare, ku nga rreth 463 mijë dollarë të raportuar, vetëm një pjesë e tyre rezulton e paguar drejtpërdrejt nga subjekti politik shqiptar.

Sipas SPAK, një pjesë e pagesave dyshohet të jetë kryer përmes palëve të treta, përfshirë kompani dhe individë të ndryshëm, ndër ta edhe Adrian Shatku, duke ngritur dyshime për fshehje të burimit të fondeve dhe për përdorim të strukturave ndërmjetëse. Hetuesit pretendojnë se shërbimet e lobimit kanë përfshirë organizimin e takimeve të zyrtarëve shqiptarë me senatorë dhe përfaqësues të institucioneve amerikane.

Në total, sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, kompania DSIS ka lëshuar 18 fatura për LSI-në, nga të cilat një pjesë janë paguar nga vetë partia, ndërsa pjesa tjetër dyshohet të jetë mbuluar nga subjekte të tjera. Prokuroria pretendon se kjo skemë mund të përbëjë si përfitim të paligjshëm ashtu edhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Seanca është shoqëruar gjithashtu me tensione në sallë. Ilir Meta ka kundërshtuar vazhdimisht mënyrën e drejtimit të seancës, ndërsa gjykata ka ndërhyrë për të ruajtur rendin procedural. Debatet kanë vijuar edhe mes avokatëve dhe përfaqësuesve të tjerë të pranishëm, duke çuar në ndërprerje të herëpashershme të procesit.

Në një tjetër vendim të lidhur me sjelljen në sallë, gjykata ka gjobitur me nga 10 mijë lekë ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, si dhe avokatin e mbrojtjes, për thyerje të solemnitetit të seancës.

Hetimet e SPAK vijojnë, ndërsa Meta dhe të pandehurit e tjerë i mohojnë akuzat, duke i konsideruar ato të pabazuara. Çështja mbetet në shqyrtim gjyqësor dhe ende nuk ka vendim përfundimtar.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick