KLSH: Gjysma e kamerave në Tiranë nuk punonin as para dëmtimit

Facebook
WhatsApp

Në raport u evidentuan edhe mangësi në transportin publik, probleme në monitorimin e shërbimeve urbane dhe vonesa në projektet infrastrukturore

Me nisjen e protestave të dhunshme studentore, në rrugët e Tiranës u dëmtuan thuajse të gjithë semaforët me qëllim prishjen e kamerave. 

Por një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka zbuluar se më shumë se gjysma e kamerave të monitorimit në rrugët e kryeqytetit nuk funksiononin edhe para se të dëmtoheshin nga protestuesit.  

Sipas auditimit, më shumë se gjysma e kamerave të monitorimit nuk transmetonin pamje, një pjesë e semaforëve nuk ishin të integruar në sistemin qendror, ndërsa investimet për përmirësimin e transportit dhe qarkullimit rrugor kanë mbetur ndjeshëm larg planeve. 

“Nga 71 kamera të instaluara për monitorimin e trafikut në kryeqytet, 40, ose 56.3%, nuk transmetonin pamje gjatë verifikimit të KLSH-së më 1 korrik 2026, përpara dëmtimeve të fundit gjatë protestave. Për 11 kamera, ndërprerja e transmetimit kishte zgjatur nga dy deri në shtatë vjet, ndërsa 14 të tjera kishin qenë jashtë funksionit për periudha nga një deri në shtatë muaj. Sistemi i kamerave ishte plotësuar nëpërmjet një kontrate të vitit 2021, me vlerë rreth 59.9 milionë lekë. Auditimi konstatoi gjithashtu se platforma qendrore për shfaqjen e njëkohshme të pamjeve nuk funksiononte. Operatorët i monitoronin kamerat individualisht në kompjuter, ndërsa 10 semaforë nuk ishin integruar në sistemin qendror”, thuhet mes të tjerash në raportin e KLSH-së. 

Nga ana tjetër, në raport u evidentuan edhe mangësi në transportin publik, probleme në monitorimin e shërbimeve urbane dhe vonesa në projektet infrastrukturore. 

“Shpenzimet e programit të transportit publik në Bashkinë e Tiranës u rritën nga 325 milionë lekë në vitin 2023 në 1.53 miliardë lekë në vitin 2025. Megjithatë, pjesa dërrmuese e fondeve është përdorur për subvencione dhe rimbursime, përfshirë abonetë e studentëve dhe pensionistëve. Investimet përbënin 13% të shpenzimeve të programit në vitin 2023 dhe 30% në vitin 2024, por realizimi i tyre ishte zero. Në vitin 2025, investimet zinin vetëm 4% të shpenzimeve dhe u realizuan në masën rreth 2%”, thuhej më tej në raport. 

Përmes raportit KLSH paralajmëron se struktura e shpenzimeve, e orientuar kryesisht drejt subvencioneve, e kombinuar me realizimin e ulët të investimeve, krijon rrezik për mungesë ndikimi në përmirësimin e qarkullimit rrugor dhe cilësisë së shërbimit. 

Gjatë tre viteve, sipas raportit të KLSH-së, nuk është arritur të realizohet as niveli i investimeve të planifikuara vetëm për vitin 2023. 

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick