Zagrebi kërkon kthimin e anijeve luftarake, nëndetëseve, mjeteve të tjera lundruese dhe një spitali ushtarak, pasuri që sipas palës kroate kapin një vlerë prej më shumë se 2.4 miliardë eurosh.
Kroacia i ka kushtëzuar Malit të Zi avancimin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me zgjidhjen e çështjes së pasurive ushtarake të mbetura nga ish-Jugosllavia. Zagrebi kërkon kthimin e anijeve luftarake, nëndetëseve, mjeteve të tjera lundruese dhe një spitali ushtarak, pasuri që sipas palës kroate kapin një vlerë prej më shumë se 2.4 miliardë eurosh.
Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, bëri të qartë se Zagrebi synon që çështjet e pazgjidhura me Podgoricën, përfshirë edhe pronat e konfiskuara të kroatëve në Mal të Zi, të trajtohen gjatë negociatave të vendit për anëtarësim në BE.
“Në atë kohë kishim rreth 207 mjete lundruese në Kroaci dhe rreth 30 në Mal të Zi, ndërsa një vit më vonë situata ishte e kundërt – 207 në Mal të Zi dhe rreth 30 në Kroaci”, tha ministri kroat.
Sipas Grliq Radman, një pjesë e këtyre pasurive është zhdukur ose është transferuar. Ai tha se Kroacia i ka të gjitha rastet të dokumentuara.
“Ne i kemi të gjitha të regjistruara dhe bëhet fjalë për pasuri me vlerë mbi 2.4 miliardë euro”, u shpreh ai.
Ministri kroat foli edhe për çështjen e kthimit të pronave të konfiskuara të kroatëve në Mal të Zi. Ai tha se Zagrebi do të kërkojë që kjo çështje të trajtohet në kuadër të kapitullit 23 të negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Evropian.
Deklaratat u bënë gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Przhno. Më pas, Grliq Radman mori pjesë edhe në vendosjen e kurorave pranë pllakës përkujtimore kushtuar të burgosurve kroatë në ish-kampin e Morinjit.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimovic, deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të përballet me të kaluarën dhe të ndërtojë një shoqëri të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë.









