Ish-deputetja kërkoi që gjykata të mos pranojë si prova të dhënat e nxjerra nga telefoni i saj, duke argumentuar se sekuestrimi është kryer në kundërshtim me ligjin. Gjatë seancës pati edhe debate mes mbrojtjes dhe gjykatës, ndërsa avokatët kundërshtuan akuzat e SPAK dhe kërkuan ekspertizë të re financiare, si edhe marrjen në pyetje të disa dëshmitarëve.
Monika Kryemadhi i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që të shpallë të papërdorshme tabulatet dhe të dhënat e nxjerra nga telefoni i saj celular, duke pretenduar se sekuestrimi është kryer në mënyrë të paligjshme. Gjatë seancës gjyqësore ndaj saj dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish-deputetja argumentoi se në kohën kur u ushtrua kontrolli ajo kishte statusin e deputetes dhe, për rrjedhojë, procedurat e ndjekura nga organet ligjzbatuese kanë qenë në kundërshtim me ligjin.
Sipas Kryemadhit, ajo kishte informuar agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit se telefoni ishte në pronësinë e saj, por pavarësisht kësaj ata vijuan me sekuestrimin e pajisjes. Ajo shtoi se prokuroria ishte në dijeni se banonte në atë adresë dhe se kontrolli ishte ushtruar në dhomën e saj të gjumit, ndonëse banesa figuron në emër të Fatime Kryemadhit.
“Celulari është sekuestruar në mënyrë të paligjshme. Në atë periudhë kam qenë deputete dhe marrja e një prove në mënyrë të paligjshme e bën atë të papërdorshme”, deklaroi Kryemadhi para trupit gjykues.
Gjatë seancës, mbrojtja e saj kundërshtoi gjithashtu akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, duke pretenduar se çështja nuk është penale, por e motivuar politikisht. Avokati Redi Llanaj argumentoi se vetë SPAK ka pranuar se blerja e vilës nuk lidhet me korrupsionin dhe se në këtë rast mungon fakti penal.
“Vetë SPAK pranon se blerja e vilës nuk ka korrupsion. Kjo çështje nuk është juridike, por politike. Këtu nuk ka fakt penal. Prokurori është kthyer në një vegël”, u shpreh ai.
Deklarata solli reagimin e gjyqtarit Erion Bani, i cili i kërkoi avokatit të ruante solemnitetin e seancës dhe të shmangte përdorimin e termave që mund të cenonin institucionin e drejtësisë. Llanaj u përgjigj se fjala “vegël” nuk ishte përdorur në kuptim fyes, por si sinonim i fjalës “instrument”.
Mbrojtja kërkoi gjithashtu kryerjen e një akt-ekspertimi të ri kontabël për të ardhurat ndër vite të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke kundërshtuar ekspertizën financiare të administruar nga SPAK. Sipas avokatit, ekspertiza aktuale është e njëanshme dhe nuk pasqyron në mënyrë të drejtë të dhënat financiare të çiftit.
“Ne kemi paraqitur një akt-ekspertim që e kundërshton këtë akt. Ky është momenti për të caktuar një ekspert të pavarur ose një grup ekspertësh, pasi bëhet fjalë për një provë thelbësore”, deklaroi Llanaj.
Një tjetër kërkesë e mbrojtjes ishte marrja në pyetje, përmes letërporosisë, e Adrian Shatkut. Sipas avokatit, dëshmia e tij do të ndihmonte në sqarimin e rolit të Kryemadhit në marrëdhënien mes kompanisë UNIFI dhe Vodafone Albania, duke shpjeguar mënyrën e njohjes me ish-deputeten, nisjen e kontratës me kompaninë e telefonisë dhe nëse ajo kishte ndonjë kompetencë për të ndërmjetësuar apo negociuar një marrëveshje të tillë.
Nga ana tjetër, SPAK pretendon se komunikimet e gjetura në telefonin e Kryemadhit tregojnë se ajo dhe Ilir Meta janë angazhuar për të ndihmuar në realizimin e një kontrate ndërkombëtare interkoneksioni mes UNIFI dhe Vodafone Albania. Sipas prokurorisë, në dosje përfshihen komunikime me drejtues të kompanisë dhe biseda me Adrian Shatkun lidhur me zhvillimin e negociatave.
Mbrojtja kërkoi gjithashtu dëshminë e një shtetasi afrikano-jugor, i cili sipas saj mund të sqarojë nëse Kryemadhi ka pasur ndonjë rol real në këtë proces, si edhe marrjen në pyetje të disa personave të tjerë, mes tyre Esmeralda Shkjau, Vali Bizhga, kryeministri Edi Rama, ish-ministri Damian Gjiknuri dhe deputetë që kanë propozuar ndryshime në ligjin nr. 134/2014.









