Kombëtarja shqiptare do të përballet të enjten me Finlandën, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të grupit në Ligën e Kombeve. Përveç rezultatit, kuqezinjtë duhet të tregojnë kujdes edhe me kartonët e verdhë, pasi shtatë futbollistë rrezikojnë të humbasin sfidën e 15 nëntorit kundër Bjellorusisë.
Në listën e lojtarëve që rrezikojnë pezullimin përfshihen disa prej futbollistëve që po kalojnë një periudhë pozitive si me klubet e tyre, ashtu edhe me fanellën kuqezi.
Mes tyre është kapiteni Berat Gjimshiti, si dhe Stavro Pilo, i cili është bërë futbollisti shqiptar me më shumë gola në Champions League, pas realizimeve ndaj Manchester City-t dhe Real Madridit.
Në repartin e mbrojtjes rrezikon gjithashtu Ardian Ismajli, ndërsa në mesfushë Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani. Në sulm, Myrto Uzuni është i vetmi lojtar që ndodhet në këtë situatë, ndërsa listën e plotëson portieri Alen Sherri.
Të shtatë futbollistët, në rast se ndëshkohen me karton të verdhë ndaj Finlandës, nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Maran për takimin e fundit të fazës së grupeve kundër Bjellorusisë.
Sa i përket përballjes me Finlandën, Shqipëria shihet si favorite nga koeficientët e basteve, duke marrë parasysh edhe paraqitjen e kuqezinjve në ndeshjen e parë të zhvilluar në Helsinki.
overlay-clevercloseLogo
Një tjetër tregues në favor të Shqipërisë është renditja në FIFA, ku kuqezinjtë mbajnë vendin e 66-të, nëntë pozicione më lart se Finlanda, e cila renditet e 75-ta.
Megjithatë, statistikat e përballjeve direkte favorizojnë finlandezët. Në tetë ndeshjet e mëparshme mes dy kombëtareve, Shqipëria ka regjistruar dy fitore, një barazim dhe pesë humbje









