Kuvendi Kombëtar i Protestës është shoqëruar me tensione, përplasje verbale dhe akuza për mungesë përfaqësimi. Një nga zërat më kritikë ishte Artenisa Kica, e cila deklaroi se anëtarët e këtij forumi duhet të jenë në shesh me qytetarët dhe të zgjidhen nga populli, jo përmes ftesave.
Mbledhja e parë e Kuvendit Kombëtar të Protestës është shoqëruar me debate dhe tensione mes organizatorëve dhe pjesëmarrësve, ndërsa nuk kanë munguar kritikat për mënyrën e organizimit dhe përzgjedhjen e anëtarëve të tij.
Që në fillim të takimit, disa qytetarë shprehën pakënaqësi, duke pretenduar se një pjesë e protestuesve aktivë nuk ishin njoftuar për mbajtjen e Kuvendit. Njëri prej tyre u shpreh se në sallë mungonin përfaqësuesit e njerëzve që kanë qenë vazhdimisht në protestë.
Përplasjet vijuan edhe kur disa pjesëmarrës kërkuan të merrnin fjalën, por organizatorët refuzuan, duke argumentuar se mbledhja po zhvillohej sipas një rendi të caktuar dite. Në një moment, moderatorja theksoi se Kuvendi është i hapur për të gjithë qytetarët, ndërsa një prej organizatorëve reagoi ashpër ndaj kundërshtimeve, duke u kërkuar të pranishmëve të mos sfidonin drejtimin e mbledhjes.
Një tjetër incident u regjistrua kur një qytetar tentoi të ulej në rreshtin e parë, çka solli reagime nga disa të rinj të pranishëm. Situata u qetësua pas ndërhyrjes së organizatorëve, ndërsa mbledhja vijoi me diskutimet e planifikuara.
Mes zërave kritikë spikati edhe pjesëmarrësja Artenisa Kica, e cila kundërshtoi mënyrën se si ishte ngritur Kuvendi Kombëtar i Protestës. Ajo deklaroi se përfaqësuesit e këtij forumi duhet të zgjidhen nga qytetarët dhe jo të marrin pjesë përmes ftesave.
“Nuk jemi vetëm ne këtu. Populli është në shesh, diaspora është me ne. Vota duhet të vijë nga populli. Secili prej nesh duhet të zgjidhet nga populli, jo nga ftesat”, u shpreh Kica gjatë fjalës së saj.
Ajo shtoi se lëvizja duhet të mbetet pranë qytetarëve dhe jo të krijojë struktura që, sipas saj, nuk përfaqësojnë vullnetin e protestuesve.
“Ne duhet ta çrrënjosim këtë sistem dhe kjo bëhet duke qenë atje, në shesh. Nuk duhet të ketë vetëshpallje. Nuk mund të dalë dikush të mbledhë 500 veta dhe të vetëshpallet. Populli vendos vetë”, deklaroi ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, Kica u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë mobilizimin dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Menjëherë pas deklaratave, organizatorët ndërhynë dhe i morën mikrofonin, ndërsa debati në sallë vijoi edhe për disa minuta.









