Në fokus të takimit ishte përmirësimi i shërbimit policor dhe rritja e besimit të qytetarëve te uniformat blu. Drejtuesve vendorë iu kërkua më shumë profesionalizëm, etikë dhe reagim i shpejtë ndaj shqetësimeve dhe kërkesave të qytetarëve.\
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë zhvilluar këtë të premte në Tiranë një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit në 12 qarqet e vendit.
Takimi u përqendrua te mënyra se si policia ofron shërbimet ndaj qytetarëve, si dhe te nevoja për të rritur besimin e publikut te institucionet e rendit. Në tryezë u diskutua për standardet e komunikimit me qytetarët dhe për reagimin e strukturave policore ndaj ankesave, problematikave dhe kërkesave për informacion.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministri Lamallari theksoi se profesionalizmi dhe etika duhet të jenë pjesë e pandashme e punës së çdo punonjësi të Policisë së Shtetit.
“Etika është minimumi, shërbimi cilësor, i shpejtë dhe konform ligjit është ajo çfarë presin dhe meritojnë qytetarët”, shkroi Lamallari.
Në këtë kuadër, drejtuesve vendorë të policisë iu kërkua që të kenë në qendër të punës së tyre qytetarin, duke garantuar përgjigje të shpejta, të drejta dhe në përputhje me ligjin.
Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve për rritjen e standardeve të shërbimit policor dhe forcimin e marrëdhënies mes Policisë së Shtetit dhe qytetarëve.









