Lëvizja do të vazhdojë gjatë gjithë verës

Facebook
WhatsApp

Protesta qytetare hyri sonte në ditën e 36-të radhazi, duke konfirmuar se lëvizja ka kaluar kufijtë e kundërshtimit ndaj një projekti të vetëm dhe është shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike. Organizatorët deklarojnë se mobilizimi do të vazhdojë deri në largimin e Edi Ramës dhe ndryshimin e sistemit politik.

Mijëra qytetarë u mblodhën sërish në Sheshin “Skënderbej”, prej nga marshuan drejt Kryeministrisë me flamuj kombëtarë dhe pankarta kundër qeverisë. Gjatë gjithë tubimit u dëgjuan thirrje si “Rama ik!”, “Rama jep dorëheqjen!”, “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Poshtë patronazhistët!” dhe “Shqipëri e re!”, duke treguar se protestuesit nuk shënjestrojnë vetëm qeverinë, por edhe establishmentin politik në tërësi.

Organizatorët theksuan se protesta nuk do të ndalet pavarësisht sezonit veror, ndërsa i bënë thirrje qytetarëve dhe diasporës të vijojnë mobilizimin deri në përmbushjen e kërkesës kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ngritjen e një sistemi të ri politik.

Një nga protestuesit e mori fjalën duke e cilësuar lëvizjen si “luftë për dinjitet”, ndërsa kritikoi premtimet e pambajtura të qeverisë në shëndetësi, arsim, siguri dhe punësim. Ai pretendoi se gjashtë deputetë të Partisë Socialiste janë të gatshëm të mbështesin një votëbesim ndaj qeverisë, duke iu drejtuar Ramës me fjalët: “Po të vjen ora. Ne po bëjmë historinë për një republikë të qytetarëve.”

Një qytetare ironizoi raportet e kryeministrit me homologen italiane Giorgia Meloni, duke i kërkuar Ramës të “mos i ulet më në gjunjë”, por t’u kërkojë falje shqiptarëve për gjendjen e vendit.

Në protestë foli edhe avokati dhe aktivisti shqiptar në Londër, Bledar Meti, i cili e akuzoi qeverinë për autoritarizëm dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e proceseve të reja demokratike. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për t’i dhënë fund tranzicionit të gjatë politik.

Aktivistja që përfaqëson diasporën deklaroi se protestat kanë marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare dhe se mobilizimi i shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit do të vazhdojë. Ajo u shpreh se diaspora do të mbetet pjesë aktive e lëvizjes deri në realizimin e objektivave të saj.

Në tubim mori pjesë edhe Albion Nikolli, i liruar pas katër ditësh paraburgim pas arrestimit në protestën e 2 korrikut. Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe theksoi se protestuesit nuk janë kundër rendit kushtetues, por kundër autokracisë dhe në mbështetje të shtetit ligjor. Nikolli pretendoi gjithashtu se disa efektivë policie i kishin shprehur mbështetje gjatë qëndrimit në komisariat, megjithëse këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet.

Ndërkohë, aktivisti Arben Kola deklaroi se protestat do të vazhdojnë deri në rrëzimin e qeverisë dhe paralajmëroi mobilizime të rregullta me pjesëmarrjen e diasporës. Ai pretendoi se incidentet e ndodhura pas protestës së 2 korrikut nuk u shkaktuan nga organizatorët, por nga persona të infiltruar për të njollosur lëvizjen, duke theksuar se protesta mbetet paqësore.

Tubimi i kësaj mbrëmjeje u zhvillua nën masa të shtuara sigurie dhe vjen vetëm pak ditë pas përplasjeve të 2 korrikut mes një pjese të protestuesve dhe policisë. Pavarësisht arrestimeve dhe tensioneve, organizatorët këmbëngulin se revolta qytetare do të vijojë deri në arritjen e objektivave të saj politike.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick