Debatet mes organizatorëve thellohen pas bllokimit të autostradës, ndërsa Edi Rama e cilëson protestën një “marshim qorrazi” që dëmton imazhin e vendit dhe sezonin turistik.
Protesta që prej 15 ditësh po zhvillohet në Tiranë mori një kthesë të re mbrëmjen e së dielës, kur një pjesë e protestuesve vendosën të marshojnë drejt aeroportit të Rinasit, duke bllokuar për disa minuta autostradën Tiranë-Durrës. Aksioni, i konsideruar si më i forti deri më tani nga pjesëmarrësit, ka nxitur debate të forta brenda vetë lëvizjes protestuese dhe reagime politike.
Pas qëndrimit prej afro tri orësh në shesh dhe fjalimeve të zakonshme, qindra protestues nisën marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit. Ndryshe nga një ditë më parë, kur lëvizja ishte përqendruar në lindje të Tiranës, këtë herë destinacioni ishte autostrada që lidh kryeqytetin me Durrësin dhe aeroportin e Rinasit.
Bllokimi i përkohshëm i qarkullimit në një nga nyjet më të rëndësishme rrugore të vendit shkaktoi vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe ngriti shqetësime për ndikimin në udhëtarët që kishin fluturime nga aeroporti. Një grup protestuesish synuan të vazhdonin marshimin deri në Rinas, por pas përballjes me forcat e policisë, vendosën të mos përshkallëzojnë situatën dhe u shpërndanë.
Ngjarja ka nxjerrë në pah ndarje të qarta mes organizatorëve dhe mbështetësve të protestës. Në rrjetet sociale janë publikuar reagime të shumta kundër marshimeve të gjata dhe bllokimeve të rrugëve, me argumentin se forma të tilla veprimi përjashtojnë shumë qytetarë që nuk mund të marrin pjesë fizikisht. Ky grupim e sheh protestën si një tubim paqësor dhe gjithëpërfshirës në shesh.
Nga ana tjetër, mbështetësit e marshimit drejt Rinasit argumentojnë se protesta duhet të hyjë në një fazë të re presioni ndaj institucioneve dhe se aksione të tilla shërbejnë për të rritur ndikimin publik të kauzës së tyre.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama reagoi ashpër ndaj zhvillimeve të fundit, duke e cilësuar marshimin si një veprim “qorrazi”. Në një postim në rrjetet sociale, ai deklaroi se protesta ka humbur lidhjen me kauzën fillestare dhe po dëmton imazhin e Shqipërisë, investimet e huaja dhe sezonin turistik.
Rama paralajmëroi se bllokimet e rrugëve dhe anulimet e rezervimeve turistike mund të kenë pasoja ekonomike, ndërsa u bëri thirrje protestuesve të distancohen nga, sipas tij, elementët që po e radikalizojnë lëvizjen.









