Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve theksoi se transferimi është kryer sipas procedurave standarteve dhe se urdhri është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka urdhëruar inspektimin e 24 transferimeve të të burgosurve të kryera gjatë 11 ditëve të fundit, për të cilat Drejtoria e Burgjeve njoftoi se janë realizuar nga data 16 deri më 27 tetor.
Top Channel raporton se në këtë inspektim përfshihet edhe transferimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Për këtë të fundit dikasteri do të kërkojë informacion mbi procedurat e ndjekura.
Kujtojmë që ditën e sotme, u raportuan debate gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, pikërisht për vendimin për të transferuar kryebashkiakun Erion Veliaj nga burgu i Durrësit, tek ai i Fierit. Deputeti Bledi Çuçi i kërkoi llogari ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, për dokumentacionin që lidhet me transferimin, madje iu drejtua duke i thënë se nëse nuk i zotëronte shkresat, të jepte dorëheqjen.
Ndërkohë, më herët, në një reagim, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve theksoi se transferimi është kryer sipas procedurave standarteve dhe se urdhri është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”.
Kujtojmë se Veliaj u zhvendos dje nga Burgu i Durrësit në atë të Fierit, teksa ndodhet në paraburgim prej shkurtit të vitit 2025. Pak më parë, edhe vetë veliaj reagoi, duke kërkuar nga Drejtoria e Burgjeve, t’i paraqisnin autorizimin nga Kryeministri i vendit, për të klasifikuar si “sekret shtetëror” arsyet e transferimit të tij.









