Kumbaro deklaroi se gjatë fundjavës është punuar me mësuesit, në mënyrë që nxënësit mund t’i kthehen normalisht mësimit
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro Furxhi ka reaguar sot sërish për protestën që po zhvillohet në Tiranë.
Kumbaro deklaroi se gjatë fundjavës është punuar me mësuesit, në mënyrë që nxënësit mund t’i kthehen normalisht mësimit në këtë javë. Ajo u bëri thirrje edhe prindërve që të flasin me fëmijët e tyre dhe t’u shpjegojnë se koha e tyre është për edukim. Ajo kishte një mesazh edhe për studentë cilëve u tha se dera e Ministrisë është e hapur.
“Punonjësit e Ministrisë së Arsimit nuk kanë ndaluar asnjë ditë punë, qoftë fizikisht, qoftë online për shkak se një pjesë e zyrave të janë të dëmtuara. Gjatë fundjavës kemi qenë në komunikim pa pushim me sistemin tonë arsimor që java të rifillojë në të gjitha shkollat, ku ju presin krahëhapur mësuesit, drejtuesit, oficerët e sigurisë, punonjësit socialë. Jemi të gjithë në krye të detyrës. Dua t’u shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë mësuesve për gjithë përkushtimin e dhënë dhe kohën jo vetëm për fëmijët, por për komunikimin me prindërit.
Të dashur prindër, kini besim te mësuesit. Por sidomos flisni me fëmijët tuaj. Çdo orë që ua merr dhuna, çdo minutë që shohin vandalizmat që i janë bërë qytetit tonë në rrjetet sociale, janë orë të humbura nga jeta e tyre. Koha e tyre është për edukim. Shkollat janë të hapura dhe në funksion të plotë.
Studentë, kemi qenë në komunikim, edhe individualisht, gjatë gjithë këtij viti në këtë detyrë ku jam, dhe dua t’ju garantoj se dera e Ministrisë është e hapur, por edhe zemra e punonjësve të Ministrisë së Arsimit është e hapur. Gjërat bëhet me zemër dhe me dëshirë për të ecur përpara. Në çdo çast jam gati të ulemi bashkë dhe të përmirësojmë gjithçka që duhet bërë.”- tha ministrja.









