Gjykata e Lartë i ka dhënë fund përplasjes së kompetencave mes GJKKO-së dhe Gjykatës së Tiranës, duke vendosur që kjo e fundit të shqyrtojë ankimin e kryebashkiakut kundër mosfillimit të hetimeve për kallëzimin e tij.
Gjykata e Lartë ka zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencës mes Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatës së Tiranës për çështjen e kallëzimit të Erion Veliajt, që lidhet me identitetin e personit të njohur si “Nesti Angoni”.
Kolegji Penal ka vendosur se kompetente për shqyrtimin e ankimit të kryebashkiakut është Gjykata e Tiranës, duke i dhënë fund pingpongut gjyqësor për këtë çështje.
Në qendër të përplasjes është një emër që prej kohësh ka ngritur pikëpyetje: “Nesti Angoni”, personi që paraqiti informacionin fillestar në SPAK, mbi bazën e të cilit nisën hetimet ndaj Veliajt.
Kryebashkiaku ka kërkuar identifikimin e personit që fshihet pas këtij emri, duke ngritur pretendime për falsifikim dokumentesh dhe duke kërkuar verifikimin e mënyrës se si kallëzimi është depozituar dhe administruar nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas të dhënave të bëra publike më herët, Prokuroria e Tiranës ka verifikuar se një person me emrin “Nesti Angoni” nuk figuron në regjistrin e Gjendjes Civile. Megjithatë, organi i akuzës vendosi të mos fillojë procedim penal, duke argumentuar se nuk ka kompetencë të kontrollojë hetimet e SPAK dhe vërtetësinë e akteve të administruara prej tij.
Veliaj e kundërshtoi këtë vendim në gjykatë, duke kërkuar vijimin e verifikimeve dhe zbardhjen e identitetit të kallëzuesit. Gjykata e Tiranës shpalli moskompetencën në korrik, duke ia kaluar çështjen GJKKO-së. Përplasja përfundoi në Gjykatën e Lartë, e cila tashmë ka përcaktuar se ankimi duhet të shqyrtohet nga gjykata e zakonshme.
Çështja e “Nesti Angonit” është kthyer në një nga debatet që shoqërojnë procesin penal ndaj Veliajt. Mbrojtja e kryebashkiakut ka vënë në dyshim identitetin e kallëzuesit dhe mënyrën e administrimit të informacionit fillestar, ndërsa ekzistenca e një emri që nuk rezulton në regjistrat civilë nuk provon, në vetvete, pavlefshmërinë e hetimeve të SPAK.
Ky zhvillim vjen ndërkohë që procesi kryesor ndaj Veliajt në GJKKO vijon të përballet me shtyrje. Seanca e 27 tetorit u shty për më 3 nëntor për shkak të mungesës së avokatëve, ndërsa kryebashkiaku ka kërkuar që të përfaqësohet vetëm nga Plarent Ndreca, duke kundërshtuar caktimin e mbrojtësve të tjerë.
Tashmë, krahas procesit në Gjykatën e Posaçme, një tjetër betejë gjyqësore pritet të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës, ku do të shqyrtohet ankimi që synon të hapë rrugën për verifikimin penal të kallëzimit të bërë në emër të “Nesti Angonit”.









