Ndërron jetë në moshën 41-vjeçare aktori dhe regjisori Gjergj Mena

Facebook
WhatsApp

Aktori dhe regjisori Gjergj Mena ndahet nga jeta në moshën 41-vjeçare, duke lënë pas një kontribut të çmuar në teatër dhe në formimin artistik të brezit të ri.

Aktori dhe regjisori Gjergj Mena është ndarë nga jeta në moshën 41-vjeçare, duke lënë pas një kontribut të rëndësishëm në skenën teatrore shqiptare, veçanërisht në promovimin dhe edukimin artistik të brezit të ri.

Mena mësohet se vuante prej disa muajsh nga një sëmundje tumorale. Pavarësisht betejës së vështirë me sëmundjen, ai nuk arriti ta fitonte atë.

Lajmi i trishtë është bërë i ditur përmes faqes “Eja në Teatër” në Instagram, ku kolegët dhe bashkëpunëtorët e kanë kujtuar me fjalë prekëse, duke vlerësuar përkushtimin dhe punën e tij në teatër.

Për shtatë vite me radhë, Mena drejtoi me pasion festivalin teatror për të rinj “TK RIN ART”, një projekt që u dha mundësinë qindra të rinjve dhe të rejave të njiheshin me skenën, të zhvillonin talentin dhe të krijonin lidhjen e tyre me teatrin.

Kontributi i tij në këtë festival është dokumentuar edhe në edicionet e zhvilluara ndër vite. Mena ka qenë pjesë e drejtimit artistik dhe organizativ të aktivitetit, duke bashkëpunuar me regjisorë të rinj dhe shkolla të ndryshme të Tiranës. Në edicionin e vitit 2025, ai u prezantua si drejtor ekzekutiv i festivalit, i cili përfshinte nëntë shkolla dhe rreth 120 gjimnazistë pjesëmarrës.

Shfaqja “Yerma”, e bazuar në veprën e dramaturgut spanjoll Federico García Lorca dhe me regji të Menës, ishte një nga punët e tij të fundit. E vënë në skenë në Teatrin e Kukullave, ajo solli në fokus një grup artistësh të rinj dhe dëshmoi përkushtimin e regjisorit ndaj krijimit të hapësirave për talentet e reja.

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, “Eja në Teatër” e kujton Menën si një artist që la gjurmë jo vetëm përmes punës së tij, por edhe përmes të rinjve që afroi me artin skenik.

“Sot, skena mbetet më e varfër. Ikja e tij e këput kaq herët një rrugëtim që kishte ende shumë për të dhënë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

Gjergj Mena do të përcillet në banesën e fundit këtë të hënë, në orën 14:00, në varrezat e Sharrës.

Postimi i plotë:

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit dhe regjisorit Gjergj Mena.

Për shtatë vite me radhë, ai drejtoi me dashuri e përkushtim festivalin teatror për të rinj “TK RIN ART”. Përmes punës së tij, qindra  të rinj e të reja u afruan me skenën dhe mësuan ta duan teatrin.

Shfaqja “Yerma”, vepra e tij e fundit, u prit me shumë sukses dhe dëshmoi edhe një herë ndjeshmërinë e tij artistike. Ajo do të mbetet një prej gjurmëve të rrugëtimit të tij, si edhe një frymëzim për të rinjtë që do të ndërtojnë teatrin e së ardhmes.

Sot, skena mbetet më e varfër. Ikja e tij e këput kaq herët një rrugëtim që kishte ende shumë për të dhënë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit artistik.  Qofsh i dritës, Gjergj

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick