“Jam përjashtuar nga forumet ku nuk kam qenë pjesë asnjëherë. Unë me PS do të kem të njëjtin raport, e kam mbrojtur sa herë që e kam gjykuar të drejtë”, u shpreh avokati i Erion Veliajt
Plarent Ndreca, ka reaguar pas lajmeve që qarkulluan në media, se ai është përjashtuar nga të gjitha forumet e Partisë Socialiste, referuar Asamblesë Kombëtare. Ndreca tha se ai nuk ka qenë asnjëherë pjesë e forumeve të PS-së, me përjashtim të faktit që është drejtues politik në njësinë 14 në Tiranë.
Ndreca kërkoi dhe një sqarim nga Blendi Klosi, sekretari i përgjithshëm në Partinë Socialiste, në lidhje me statusin dhe arsyet e përjashtimit të tij.
“Unë jam anëtar i Partisë Socialiste, por unë nuk kam qenë përveçse kur isha deputet i PS, anëtar i Asamblesë së PS, ndaj dhe nuk isha pjesëmarrës. Ishte një akt burracakërie, përmendja e emrit tim, kur unë nuk ishja pjesëmarrës, dhe nuk kisha mundësi që të përgjigjesha. Socialistët e dinë shumë mirë sesa kam bërë unë për kauzat e PS. Unë nuk jam anëtar i asnjë forumi në PS.
Drejtoj një zonë politike në Bashkinë e Tiranës, zonën e Astirit, që është njësia 14. Forumet drejtuese janë kryesia, Asambleja, Kongresi. Unë nuk jam anëtar i asnjë i këtyre forumeve, pyetja që mbetet është, cilin nen të statutit kam shkelur. Anëtarësinë nuk ma heq dot njeri. Jemi në 2026, dhe PS duhet të jetë më demokratike, më e hapur. Unë kam vërejtje dhe për zotin Klosi, që duhet të jetë garantuesi i rregullave të statutit të PS, nuk duhet të lejojë as kryetarin e Partisë që ta shkelë.
Kam bërë për PS më shumë se gjysma e qeverisë, e marrë së bashku, nuk jam i penduar për këtë, por ajo që po thoja është, çfarë është ajo që unë kam bërë? Mos të harrojmë një gjë, unë nga 2020 deri sot, vetëm 1 vit e gjysma kam qenë deputet. Jam përjashtuar nga forumet ku nuk kam qenë pjesë asnjëherë. Unë me PS do të kem të njëjtin raport, e kam mbrojtur sa herë që e kam gjykuar të drejtë”, u shpreh Ndreca.
Plarent Ndreca është një prej figurave të Partisë Socialiste që po merr një rol të veçantë në mbrojtjen politike dhe ligjore të Erion Veliajt. Ish-deputeti socialist, i cili ka mbajtur edhe funksione drejtuese në strukturat e PS-së në Tiranë, është pozicionuar hapur në krah të kryebashkiakut të pezulluar, duke mos e fshehur përplasjen mes angazhimit të tij politik dhe detyrës si avokat.
Ndryshe nga Edi Rama, i cili është distancuar politikisht nga Veliaj, Ndreca ka deklaruar se është i gatshëm të sakrifikojë edhe karrierën e tij në PS për të mbrojtur interesat ligjore të klientit.
Ai ka pranuar gjithashtu se ka komunikuar me Ramën për këtë çështje, ndërsa ka përcjellë publikisht edhe dyshimet e Veliajt për përfshirjen e kryeministrit në arrestimin e tij. Ky pozicionim e bën Ndrecën një figurë të rëndësishme në përplasjet dhe rreshtimet që po formësohen brenda Partisë Socialiste.









