Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka artikuluar një sërë pretendimesh lidhur me atë që e konsideron si ndërhyrje politike në çështjen e klientit të tij.
Ndreca ka deklaruar se disa zhvillime të njëpasnjëshme, që nga procedurat për shkarkimin e Veliajt deri te transferimi i tij në burgun e Fierit, krijojnë dyshime për motive politike.
Sipas avokatit, këto veprime nuk mund të shihen të shkëputura nga njëra-tjetra, pasi, të marra së bashku, krijojnë bindjen se synimi është kufizimi i aktivitetit politik të kryebashkiakut të Tiranës. Ndreca ka përmendur edhe rolin e kryeministrit Edi Rama, duke iu referuar pretendimeve për ndërhyrje në procesin që po zhvillohet ndaj Veliajt.
Gjatë debatit me gazetarin Ylli Rakipi dhe analistin Andi Bushati, avokati renditi disa prej elementeve që, sipas tij, mbështesin këtë qëndrim.
Duke iu përgjigjur pyetjes se si Erion Veliaj ka arritur në përfundimin se pas veprimeve ndaj tij qëndron Edi Rama, Ndreca foli për një seri zhvillimesh procedurale dhe institucionale.
“Situata ka ardhur në mënyrë dinamike dhe konkluzioni është dinamik. Që nga momenti kur një kryetar bashkie ndiqet për një kallëzim anonim, nga stërzgjatja e gjykimit, nga një gjykatë në gjykatë. Gjykata e Lartë nuk zbaton arsyetimet e Gjykatës Kushtetuese. Fakti që ndëshkimet për shkelje procedurale dhe marrja e tetë muajve nga Gjykata Kushtetuese për të marrë një vendim, si dhe kulmimi me këtë transferim, pa u arsyetuar se pse ndodhi, dhe akti i fundit i shkuarjes së ministrit të Drejtësisë në zyrën e drejtorit të burgut të Fierit, sigurisht që krijojnë konkluzionin se ka qëllime të fshehta ose të qarta për të ndaluar Veliajn”, deklaroi Ndreca i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, tha ai.
Gjatë diskutimit, gazetari Andi Bushati e pyeti Ndrecën nëse këto pretendime mund të çojnë drejtpërdrejt te përgjegjësia e kryeministrit Edi Rama.
Në përgjigjen e tij, avokati iu referua standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke argumentuar se për të ngritur dyshime për persekutim politik nuk është e domosdoshme të provohet që në fillim një urdhër i drejtpërdrejtë, por mund të merren në konsideratë edhe indiciet për qëllime të fshehta.
“Edhe vetë Gjykata e Strasburgut thotë se duhet të ketë indicie për qëllime të fshehta ose të hapura që të konsiderohet persekutim politik. Mos harrojmë ndërhyrjen për shkarkimin e zotit Veliaj. Këto, në një mënyrë apo një tjetër, ndikojnë edhe në aspektin penal. Në momentin që ti shkarkon një funksionar të pafajshëm, patjetër që quhet ndërhyrje politike. Fakti që nënkryetarja e deleguar kishte një shpërkëputje të fortë nga kryetari i Bashkisë, të gjitha këto, në mënyrë kumulative, bëjnë që zoti Veliaj të neutralizohet politikisht”, u shpreh Ndreca.









