Biznesmeni u arrestua pak ditë më parë në Francë. Paralelisht me procedurën për ekstradim, SPAK ka kërkuar edhe sekuestrimin e pasurive që dyshohet se lidhen me veprimtari kriminale.
Ministria e Drejtësisë u ka dërguar autoriteteve franceze dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme. Burime pranë SPAK konfirmojnë se procedura është vënë në lëvizje për t’i hapur rrugë kthimit të tij në Shqipëri.
Kërkesa për ekstradim shoqërohet me vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila ka caktuar ndaj Beqirajt masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ai dyshohet për kryerjen e shtatë veprave penale. Biznesmeni u arrestua pak ditë më parë në Francë. Paralelisht me procedurën për ekstradim, SPAK ka kërkuar edhe sekuestrimin e pasurive që dyshohet se lidhen me veprimtari kriminale. Kërkesa përfshin llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si edhe mjete motorike.
Ermal Beqiraj kërkohet nga SPAK në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderat e AKSHI-t. Ndaj tij janë ngritur akuzat për veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Vendosja e Beqirit në Francë, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK nuk duket e rastësishme. Në këtë shtet ai ka kaluar shumë vite të jetës së tij, fillimisht si student. Madje pavarësisht sekuestros së gjithë pasurive që dispononte në Shqipëri, Beqiri ka arritur të krijojë paralelisht një perandori financiare në shtetin francez. Pikëpyetjet janë ende se si ka arritur biznesmeni që të transferojë paratë atje.









