Ndërkaq studentët kanë rinisur sot protestat në universitetet e Tiranës, duke zhvilluar një marshim në disa fakultete dhe duke u bërë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre t’i bashkohen lëvizjes dhe të bojkotojnë procesin mësimor.
Pesë ditë pasi Qeveria miratoi aktin normativ duke parashikuar gjoba të reja për shkeljet gjatë protestave, deri në 500 mijë lekë për rastet më të rënda të mosbindjes ndaj urdhrave të policisë, paketa “Anti-Dhunë” është aplikuar mbi protestuesit e tubimit të një dite më parë (2 nëntor).
Policia bën me dije se 16 protestues janë gjobitur me shumën prej 5000 lekësh (50 mijë lekë të vjetra), pasi gjatë protestës të zhvilluar dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ata kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit.
Njoftimi i policisë:
Bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të djeshëm, vendosen 16 masa administrative, në zbatim të Aktit Normativ.
Procedohen penalisht 2 shtetas të mitur, të dyshuar për veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, sipas pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 16 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative.
Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve.
Nga 16 masat administrative, 14 janë vendosur ndaj shtetasve të shoqëruar, ndërsa 2 të tjera janë vendosur bazuar në identifikimin e shtetasve nga pamjet filmike. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur, pasi më datë 02.11.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga studentët, dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”.
Ndërkaq studentët kanë rinisur sot protestat në universitetet e Tiranës, duke zhvilluar një marshim në disa fakultete dhe duke u bërë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre t’i bashkohen lëvizjes dhe të bojkotojnë procesin mësimor.
Aksioni ka nisur në ambientet e Universitetit të Politeknikut dhe Arteve, ku një grup protestuesish kanë hyrë në auditorë dhe u kanë bërë thirrje studentëve të lënë mësimin dhe t’i bashkohen protestës.
Më pas, marshimi është zhvendosur drejt Fakultetit të Drejtësisë, Fakultetit të Ekonomisë, Gjuhëve të Huaja dhe Shkencave të Natyrës, ku janë përsëritur thirrjet për bojkot dhe mobilizim të studentëve.
Gjatë protestës, të rinjtë kanë artikuluar slogane kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij.
Ndërkohë, bojkoti nuk është përqafuar në të njëjtën mënyrë nga të gjitha fakultetet. Në disa prej tyre procesi mësimor ka vijuar normalisht, ndërsa një pjesë e studentëve i janë bashkuar marshimit.
Protesta e studentëve zhvillohet në kuadër të lëvizjes që prej javësh vijon në kryeqytet, me kërkesa për ndryshim e qeverisë dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.









