PD djeg ulëset e dialogut të Ramës, Berisha mungon në tubim

Facebook
WhatsApp

Protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike nisi para Kryeministrisë, ku u dogjën ulëset e vendosura për dialogun e propozuar nga Edi Rama. Ndërsa Sali Berisha e ndoqi zhvillimin nga selia e PD-së, deputetët demokratë u drejtuan drejt Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar studentëve. Jorida Tabaku dënoi dhunën, por pranoi se edhe opozita mund të mbajë përgjegjësi për pakënaqësinë e të rinjve.

Protesta e Partisë Demokratike nisi rreth mesditës, me pjesëmarrjen e deputetëve dhe aktivistëve të opozitës. Gjatë tubimit para Kryeministrisë, protestuesit dogjën ulëset dhe jastëkët e vendosur pranë sofrës së gurit, pjesë e skenografisë së dialogut të propozuar nga kryeministri Rama.

Ndryshe nga sa pritej, Berisha nuk iu bashkua protestuesve. Në një prononcim nga selia e PD-së, ai deklaroi se mijëra shqiptarë po vinin nga e gjithë Shqipëria për të mbështetur studentët dhe akuzoi qeverinë për përdorim të dhunës ndaj tyre.

“Beteja e narkodiktatorit, beteja e Edvin Kristaq Xhelatit ndaj studentëve do të jetë fundi i tij i turpshëm, fundi që meriton”, u shpreh Berisha. Deri në momentin e raportimit, zyra e shtypit e PD-së nuk kishte dhënë një konfirmim nëse kryetari i saj do t’i bashkohej protestës më vonë.

Ndërkohë, deputetja demokrate Jorida Tabaku konfirmoi se përfaqësuesit e opozitës do të marshonin drejt Ministrisë së Arsimit, ku studentët kishin thirrur tubimin e tyre në orën 14:00.

Tabaku akuzoi policinë për dhunë ndaj të rinjve, por theksoi se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Ajo pranoi gjithashtu se zemërimi i studentëve mund të lidhet me pakënaqësitë e grumbulluara ndër vite dhe se opozita mund të ketë pjesën e saj të përgjegjësisë.

“Besoj fort te forca e fjalës dhe argumentit, protesta paqësore, por ndoshta këta njerëz kanë mllef që ndoshta është edhe për fajin tonë”, deklaroi ajo.

Sipas Tabakut, opozita do të mbështesë kërkesat e studentëve, ndërsa bashkimi i protestuesve mbetet një nga zhvillimet kryesore të ditës.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick