Studimi, duke iu referuar vlerësimeve të Komisionit Europian, evidenton politizimin e shërbimit civil, ndryshimet e shpeshta të personelit, kapacitetet e dobëta administrative dhe zbatimin jo të qëndrueshëm të parimit të meritës në emërime.
Një studim i publikuar në nëntor 2026, i përgatitur për Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), nxjerr në pah problemet strukturore të qeverisjes në Shqipëri, duke evidentuar hendekun mes reformave të miratuara në letër dhe funksionimit real të institucioneve demokratike.
Dokumenti me titull “Sustaining EU enlargement – Lessons from Albania and Montenegro, the Western Balkans’ frontrunners” analizon ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt Bashkimit Europian, por një pjesë e rëndësishme e vlerësimit për Shqipërinë përqendrohet te problemet e demokracisë, korrupsionit, drejtësisë dhe administratës publike.
Në faqen 25 të studimit, autorët evidentojnë se dominimi politik i qeverive të drejtuara nga Partia Socialiste që prej fillimit të viteve 2010 ka ngritur shqetësime për mekanizmat e kontrollit dhe balancës së pushteteve, pavarësinë e medias dhe cilësinë e konkurrencës demokratike.
Studimi ndalet te përqendrimi i pushtetit politik rreth kryeministrit Edi Rama, një problematikë që përmendet edhe në analizën e protestave qytetare të zhvilluara gjatë vitit 2026.
Në faqen 30, dokumenti trajton protestat në Tiranë kundër një projekti zhvillimi në zonën e Zvërnecit, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Sipas studimit, ajo që nisi si kundërshtim ndaj mungesës së transparencës, problemeve me standardet mjedisore dhe rrezikut të tjetërsimit të pronës shtetërore, u shndërrua në një protestë më të gjerë për mirëqeverisjen dhe parimet demokratike.
Autorët citojnë edhe vlerësimin e një eksperti europian, sipas të cilit protesta pasqyron probleme më të thella demokratike, përfshirë përqendrimin e pushtetit politik rreth kryeministrit Rama.
Shqetësimet shtrihen edhe te sistemi i drejtësisë. Megjithëse studimi njeh përparimin e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë, ai thekson se rezultatet në dënimet përfundimtare të zyrtarëve të lartë duhet të konsolidohen.
Në dokument evidentohen gjithashtu shqetësimet për ndikimin politik mbi strukturat ligjzbatuese jashtë SPAK, efektivitetin e rikuperimit të pasurive dhe mekanizmat e integritetit në administratën publike.
Një tjetër problem i rëndësishëm lidhet me administratën shtetërore. Studimi, duke iu referuar vlerësimeve të Komisionit Europian, evidenton politizimin e shërbimit civil, ndryshimet e shpeshta të personelit, kapacitetet e dobëta administrative dhe zbatimin jo të qëndrueshëm të parimit të meritës në emërime.
Edhe pse Shqipëria ka miratuar ndryshime ligjore për administratën, ato nuk kanë prodhuar ende përmirësime sistemike. Për këtë arsye, kërkohet kufizimi i diskrecionit politik në emërimet e drejtuesve të lartë dhe forcimi i procedurave të bazuara në meritë.
Problemet me lirinë e medias përbëjnë një tjetër pikë kritike. Studimi evidenton shqetësimet për përqendrimin e pronësisë së mediave, kufizimet e herëpashershme ndaj gazetarisë investigative dhe vështirësitë financiare të organizatave të shoqërisë civile.
Sipas analizës, treguesit ndërkombëtarë të Freedom House, Bertelsmann Transformation Index, V-Dem dhe Transparency International evidentojnë mangësi në pavarësinë e gjyqësorit, pluralizmin, lirinë e medias dhe llogaridhënien demokratike.
Të dhënat krahasuese tregojnë gjithashtu se Shqipëria mbetet pas Malit të Zi në nivelin e përgjithshëm të përgatitjes për anëtarësim në BE. Në vlerësimin e përllogaritur nga autorët mbi bazën e raporteve të Komisionit Europian për vitin 2025, Shqipëria rezulton me 2.91 pikë nga 5, ndërsa Mali i Zi me 3.45 pikë.
Pavarësisht hapjes së të gjashtë grupkapitujve të negociatave dhe mbylljes provizore të tre kapitujve deri në korrik 2026, studimi paralajmëron se përparimi teknik nuk mjafton për të garantuar anëtarësimin.
Në dokument theksohet se Shqipëria duhet të dëshmojë rezultate të qëndrueshme në funksionimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e drejtësisë dhe administratën publike.
Studimi sjell edhe të dhëna për fondet europiane. Nga 41 reforma të planifikuara në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria kishte përfunduar 21, ndërsa nga një shumë e mundshme prej 922 milionë eurosh ishin disbursuar pak më shumë se 200 milionë euro.
Në përfundim, analiza nxjerr në pah kontrastin mes shpejtësisë së negociatave dhe problemeve të pazgjidhura të qeverisjes. Shqipëria mbetet ndër vendet kryesuese të procesit të zgjerimit, por përqendrimi i pushtetit, dobësitë e kontrollit institucional, korrupsioni dhe problemet me median vazhdojnë të përbëjnë sfida për standardet demokratike që kërkon Bashkimi Europian.
Studimi evidenton se miratimi i ligjeve dhe përparimi në negociata nuk janë të barasvlershme me konsolidimin e demokracisë. Prova vendimtare për Shqipërinë mbetet funksionimi real i institucioneve dhe zbatimi i reformave.









