Protesta e 30-të kundër qeverisë mori një tjetër zhvillim mbrëmjen e sotme, ku protestuesit kanë rrethuar Universitetin Politeknik të Tiranës, duke kërkuar rikthimin e një banderole që, sipas tyre, ishte hequr më herët nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Pasi mbërritën pranë godinës, protestuesit kërkuan sqarime për vendndodhjen e banderolës dhe bënë thirrje që ajo t’u kthehej. Më pas, një pjesë e tyre hynë në ambientet e universitetit, duke këmbëngulur se banderola ishte marrë padrejtësisht dhe duhej rikthyer.
Gjatë hyrjes në godinë u krijuan momente tensioni mes protestuesve dhe rojeve të sigurisë së Universitetit Politeknik. Pati debate verbale dhe përplasje për shkak të përpjekjeve të protestuesve për të hyrë në ambientet e brendshme, ndërsa rojet u përpoqën të pengonin hyrjen e tyre.
Edhe gjatë këtyre momenteve, protestuesit nuk i ndërprenë thirrjet kundër qeverisë. Ata brohoritën vazhdimisht “Rama ik” dhe “Dorëheqje”, duke përsëritur kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe duke e cilësuar protestën si vazhdim të presionit qytetar ndaj qeverisë.
Protestuesit kanë marrë sërish banderolën pas kaosit të shkaktuar brenda ambienteve të Universiteti Politeknik. Siç shihet edhe në pamje, studentët dhe qytetarët e kanë vendosur banderolën në pjesën e para Universitetit. Protestuesit lanë bulevardin dhe protestën para Kryeministrisë, për tu futur brenda Politeknikkut dhe për të rikthyer banderolën në fasadën e universtetit.









