Përshkallëzohet protesta, flakë brenda Ministrisë së Arsimit!

Facebook
WhatsApp

Protestuesit i vunë zjarrin hyrjes së godinës së Ministrisë së Arsimit, ndërsa hodhën gurë dhe sende të forta drejt institucionit. Tubimi i ditës së dytë u shoqërua me shkuljen e kangjellave, djegien e koshave të mbeturinave dhe ndërhyrjen e forcave të policisë me ujë dhe gaz lotsjellës.

Protesta studentore ka vijuar edhe sot për të dytën ditë radhazi, me tensione para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Studentë nga disa fakultete të kryeqytetit bojkotuan mësimin dhe iu bashkuan tubimit, ndërsa protestës iu bashkuan edhe nxënës të shkollave të mesme.

Që në orët e paradites, studentë të Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Drejtësisë, Fakultetit Ekonomik, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Universitetit Politeknik lanë auditorët dhe u drejtuan për në Ministrinë e Arsimit. Gjatë marshimit, studentët e Mjekësisë iu bënë thirrje edhe të rinjve të fakulteteve të tjera që t’i bashkoheshin protestës.

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës pati tensione, ku disa protestues thyen derën kryesore dhe hynë në ambientet e brendshme. Ndërkohë, nxënës të gjimnazit “Partizani” bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugë, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin në Rrugën e Dibrës. Bojkot pati edhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Rreth mesditës, protestuesit u grumbulluan para Ministrisë së Arsimit, ku u dëgjuan thirrjet “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”. Gjatë tubimit, disa të rinj me fytyra të mbuluara shkulën kangjellat metalike dhe hodhën gurë e sende të forta drejt godinës së ministrisë dhe forcave të policisë.

Situata u përshkallëzua kur protestuesit i vunë zjarrin hyrjes së godinës së Ministrisë së Arsimit. Në zonën përreth u raportua edhe për hedhjen e molotovëve dhe djegien e koshave të mbeturinave. Disa prej kangjellave të shkulura u përdorën për të bllokuar Rrugën e Durrësit, duke penguar qarkullimin e automjeteve.

Fillimisht, forcat e policisë qëndruan në perimetrin e godinës, por më pas ndërhynë me autobotet e ujit dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Gjatë ndërhyrjes, disa të rinj u shoqëruan në polici. Ndërkohë, për shkak të situatës së krijuar, disa biznese në zonën pranë ministrisë mbyllën dyqanet dhe ulën qepenat.

Policia e Shtetit u bëri thirrje protestuesve të distancoheshin nga aktet e dhunës dhe nga personat që sulmonin punonjësit e policisë ose dëmtonin pronën publike e private. Në deklarimet e saj, policia theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar, por veprimet e dhunshme përbëjnë shkelje të ligjit.

Protesta e 14 tetorit vjen një ditë pas tubimit të zhvilluar para Ministrisë së Arsimit, ku u regjistruan gjithashtu përplasje dhe dëmtime. Bojkoti i mësimit në universitete dhe shkolla të mesme, si dhe pjesëmarrja e nxënësve në protestë, shënojnë zgjerimin e tubimeve studentore në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick