Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Suk të Roskovecit, pas një konflikti mes dy personave. I plagosuri është transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Një plagosje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Suk të Bashkisë Roskovec, ku një person dyshohet se është goditur me çekiç pas një konflikti.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar është daja i deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi. Ai mësohet se ka shkuar në banesën e ish-bashkëjetueses së tij dhe, pas një konflikti me babain e saj, dyshohet se e ka goditur me çekiç.
I plagosuri, i identifikuar si Enver G., ka mbetur në oborrin e banesës pas ngjarjes, ndërsa autori i dyshuar është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Familjarët kanë njoftuar ambulancën dhe Policinë, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe për të nisur veprimet hetimore.
Enver G. është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor. Sipas informacionit paraprak nga bluzat e bardha, gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Në vendngjarje janë mbledhur të dhëna dhe prova që mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe të mënyrës se si ka ndodhur plagosja.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin e ngjarjes dhe përgjegjësinë e personit të dyshuar. Për shkak se bëhet fjalë për të dhëna paraprake, rrethanat e plota të incidentit pritet të bëhen të qarta në vijim të hetimeve të Policisë.









