Fundi i luftës në Ukrainë ka një çmim për Moskën që prek të gjithë Evropën.
Rusia ka paraqitur një paketë kërkesash të gjera në kuadër të negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke e shtrirë presionin përtej territoreve ukrainase dhe duke kërkuar ndryshime të rëndësishme në arkitekturën e sigurisë së Evropës.
Sipas gazetës gjermane “Bild”, propozimet e Moskës synojnë krijimin e një rendi të ri të sigurisë evropiane, me kufizime të forta ndaj pranisë ushtarake të NATO-s në Evropën Lindore.
Sipas raportimit, kërkesat jozyrtare ruse u janë përcjellë përfaqësuesve evropianë gjatë bisedimeve në Abu Dhabi. Ndër pikat më të forta të këtij propozimi është kërkesa që Finlanda të largohet nga NATO, si dhe ndalimi i vendosjes së bazave ushtarake të Aleancës në Estoni, Letoni dhe Lituani.
Në këmbim të përfundimit të luftës, Moska kërkon të mbajë të gjitha territoret ukrainase që aktualisht kontrollon, ndërsa kërkon edhe dorëzimin e plotë të Donbasit. Kjo do të nënkuptonte që Kievi të hiqte dorë edhe nga pjesët e Donetskut dhe Luhanskut që vazhdojnë të jenë nën kontrollin e forcave ukrainase.
Por ambiciet e Kremlinit nuk ndalen te kufijtë territorialë.
Sipas “Bild”, plani parashikon edhe çmilitarizimin e porteve të Odesës dhe Mikolajivit, duke ndaluar përdorimin e tyre si baza detare. Gjithashtu, do të hartoheshin marrëveshje të posaçme për garantimin e lirisë së lundrimit në Detin e Zi dhe Detin Baltik.
Një tjetër kusht i rëndësishëm i Moskës është neutraliteti i përhershëm i Ukrainës. Rusia kërkon që Kievi të heqë dorë përfundimisht nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO, ndërsa nuk kundërshton që vendi të vijojë rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Finlanda dhe shtetet baltike në shënjestër të kërkesave të Kremlinit
Pjesa më shqetësuese e propozimeve ruse për vendet evropiane lidhet me zgjerimin e NATO-s dhe praninë ushtarake të Aleancës në rajonin e Baltikut.
Sipas gazetës “Bild”, Moska kërkon që Finlanda të rikthehet në statusin e saj të mëparshëm, përpara anëtarësimit në NATO, ndërsa në Estoni, Letoni dhe Lituani të mos lejohen baza ushtarake të Aleancës.
Këto kërkesa tregojnë se Rusia synon të ndikojë jo vetëm në të ardhmen e Ukrainës, por edhe në marrëdhëniet e sigurisë mes vendeve evropiane dhe NATO-s. Në thelb, Moska kërkon kufizimin e pranisë ushtarake perëndimore në zonat që i konsideron me rëndësi strategjike.
Moldavia, një tjetër pjesë e planit rus
Kërkesat e raportuara nga “Bild” përfshijnë edhe Moldavinë, për të cilën Moska propozon krijimin e një republike federale të përbërë nga territori kryesor moldav, rajoni separatist i Transnistrisë dhe Gagauzia.
Sipas këtij propozimi, në rast të anëtarësimit të Moldavisë në Bashkimin Evropian, Transnistria dhe Gagauzia do të kishin të drejtën të organizonin referendume për pavarësi.
Ky element i planit prek drejtpërdrejt integritetin territorial të Moldavisë dhe mund të krijojë një tjetër vatër tensioni në Evropën Lindore, veçanërisht për shkak të pranisë dhe ndikimit rus në Transnistri.
Çfarë ofron Moska në këmbim?
Në anën tjetër, Rusia ofron disa lëshime në fushën bërthamore dhe të armatimit. Sipas raportimit të “Bild”, Moska është e gatshme të tërheqë armët bërthamore nga Bjellorusia dhe të heqë dorë nga vendosja e raketave me rreze të mesme veprimi në territorin bjellorus.
Megjithatë, këto propozime mbeten shumë larg një marrëveshjeje të pranuar nga palët. Kërkesat ruse përfshijnë jo vetëm lëshime të mëdha territoriale nga Ukraina, por edhe kufizime strategjike për NATO-n dhe ndryshime në statusin politik të vendeve të tjera të rajonit.
Gazeta gjermane “Bild” thekson se bëhet fjalë për propozime jozyrtare të paraqitura gjatë negociatave në Abu Dhabi dhe jo për një marrëveshje të arritur mes palëve. Për momentin, mbetet e paqartë nëse këto kërkesa do të shërbejnë si bazë për negociata të mëtejshme apo do të refuzohen nga Ukraina dhe partnerët e saj perëndimorë.









