Konkretisht, 4 998 gjoba janë vendosur për shkelje të rregullave të sigurisë rrugore, ndërsa 7 868 masa për ndalim, pushim dhe qëndrim të parregullt, si dhe për shkelje të tjera që pengojnë qarkullimin dhe shkaktojnë trafik.
Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet në rrugët e kryeqytetit gjatë javës së kaluar, duke evidentuar një numër të lartë shkeljesh të rregullave të qarkullimit. Në total, janë vendosur 13 467 masa administrative, ndërsa 32 persona janë arrestuar për shkelje të ndryshme.
Sipas Policisë, dy prej personave të arrestuar u kapën duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe tentuan të korruptonin efektivët që i ndaluan.
Pjesa më e madhe e masave administrative lidhet me shkeljet që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe mbarëvajtjen e qarkullimit. Konkretisht, 4 998 gjoba janë vendosur për shkelje të rregullave të sigurisë rrugore, ndërsa 7 868 masa për ndalim, pushim dhe qëndrim të parregullt, si dhe për shkelje të tjera që pengojnë qarkullimin dhe shkaktojnë trafik.
Kontrollet kanë evidentuar gjithashtu shkelje të shumta nga drejtuesit e motomjeteve. 1 093 drejtues janë ndëshkuar për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, ndërsa 418 drejtues dhe pasagjerë për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Po ashtu, 309 drejtues janë gjobitur për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Policia Rrugore ka marrë masa edhe ndaj automjeteve të modifikuara në mënyrë të paligjshme, të cilat shkaktojnë zhurma. Për këtë shkelje janë vendosur 83 gjoba.
Ndërkohë, 19 drejtues mjetesh janë ndëshkuar pasi janë kapur duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit. Gjatë kontrolleve janë bllokuar 75 automjete për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.
Në përfundim të aksionit, Policia Rrugore u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos drejtojnë automjetin pas konsumimit të alkoolit dhe të mos lëvizin pa leje drejtimi.









