Presione e kërcënime, SPAK kërkon psikolog për vitin 2027

Facebook
WhatsApp

Drejtori i Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në SPAK, Armand Shini, shpjegoi se psikologu do të ofrojë mbështetje për hetuesit e BKH-së, por do të ketë edhe rol të drejtpërdrejtë në proceset hetimore, veçanërisht gjatë intervistimit të dëshmitarëve të rrezikuar dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar përfshirjen e një psikologu institucional në strukturën e saj për vitin 2027, për shkak të presioneve psikologjike, kërcënimeve dhe ngarkesës së lartë me të cilat përballen hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Kërkesa u bë publike gjatë raportimit të SPAK në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u diskutua projektbuxheti i institucionit për vitin 2027.

Drejtori i Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në SPAK, Armand Shini, shpjegoi se psikologu do të ofrojë mbështetje për hetuesit e BKH-së, por do të ketë edhe rol të drejtpërdrejtë në proceset hetimore, veçanërisht gjatë intervistimit të dëshmitarëve të rrezikuar dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore”, deklaroi Shini.

Ai shtoi se psikologu do të asistojë edhe gjatë intervistave që hetuesit zhvillojnë me dëshmitarët e rrezikuar dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë.

Ndërkohë, SPAK ka planifikuar edhe një sërë investimesh për vitin e ardhshëm, mes tyre blerjen e kasafortave, grirëseve të letrave, mobiljeve dhe pajisjeve të tjera për zyrat, me një fond prej 15 milionë lekësh. Këto investime lidhen me shtimin e personelit dhe funksionalizimin e godinës së re.

Gjatë raportimit, prokurori Alfred Shehu bëri të ditur se buxheti i SPAK është rritur nga 327 milionë lekë në vitin 2020 në 2,3 miliardë lekë në vitin 2026, një rritje prej 608%. Për vitin 2027, projektbuxheti është parashikuar në 2,32 miliardë lekë.

Përveç pajisjeve të zyrave, institucioni ka planifikuar 30 milionë lekë për blerjen e tetë automjeteve, 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike, si dhe 10 milionë lekë për pajisje të tjera në ambientet e reja.

Një tjetër kërkesë e SPAK lidhet me shtimin e personelit. Për vitin 2027 janë kërkuar 25 pozicione të reja, nga të cilat tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në BKH.

Aktualisht, struktura organike parashikon 339 pozicione, por numri efektiv i punonjësve është 220, duke lënë 119 vende vakante. Prej tyre, 25 janë në Prokurorinë e Posaçme dhe 94 në BKH.

Shehu bëri të ditur se kanë nisur procedurat për rekrutimin e 40 hetuesve, ndërsa theksoi nevojën për plotësimin e vendeve vakante dhe shtimin e kapaciteteve njerëzore.

Sipas tij, procesi i rekrutimit kërkon kohë për shkak të verifikimeve të dokumentacionit, testimeve dhe kontrolleve të pasurisë e figurës së kandidatëve.

Në përfundim, Shehu theksoi se përparësitë e SPAK do të mbeten hetimi i korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe gjurmimi i pasurive me origjinë kriminale, brenda dhe jashtë vendit.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick