Por pavarësisht vlerësimit për progresin e bërë, mesazhi i Marta Kos ishte i qartë se Shqipëria duhet të japë rezultate konkrete në fushat më të rëndësishme të reformave,ndërsa drejtësia e pavarur, media e lirë dhe mbrojtja e mjedisit mbeten ndër sfidat kryesore.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos ka publikuar sot proces-raportin për vendet kandidate për anëtarësimin në Bashkimin Europian, mes tyre dhe për Shqipërinë.
Sa i përket vendit tonë, Kos u shpreh se Shqipëria ka bërë një rrugë të mirë duke mbyllur 4 kapituj deri tani, por theksoi se vendi duhet të vijojë me këtë ritëm. Ajo u shpreh se vendi ynë duhet të punojë më shumë në çështjet që lidhen me drejtësinë dhe mjedisin, të cilat, sipas saj, shërbejnë edhe për vetë popullin dhe jo vetëm për rrugën drejt BE-së.
Kos përmendi vitin 2027 si afatin për mbylljen e negociatave.
“Ritmi me të cilin Shqipëria po zbaton reformat e BE-së është një tregues i angazhimit të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është shënuar përparim në zbatimin e reformave kyçe. Këtë vit u arrit një etapë e rëndësishme me përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin e parë, atë të Themeloreve.
Që prej asaj kohe, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj dhe po punon për përmbushjen e kritereve përmbyllëse për kapituj të tjerë. Në të njëjtën kohë, do të na duhet të shohim një vijimësi të përqendrimit te përparimi në fushat kyçe. Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por të arritshëm, për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027. Në qendër të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Përparimi në çështjet mjedisore duhet të jetë gjithashtu një përparësi. Këto çështje kanë rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve”, tha ajo.
Por pavarësisht vlerësimit për progresin e bërë, mesazhi i Marta Kos ishte i qartë se Shqipëria duhet të japë rezultate konkrete në fushat më të rëndësishme të reformave.
“Që prej asaj kohe, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj dhe po punon për përmbushjen e kritereve përmbyllëse për kapituj të tjerë. Në të njëjtën kohë, do të na duhet të shohim një vijimësi të përqendrimit te përparimi në fushat kyçe”, u shpreh ajo.
Komisionerja nënvizoi se objektivi i mbylljes së negociatave deri në fund të vitit 2027 është i arritshëm, por kërkon angazhim të vazhdueshëm nga autoritetet shqiptare.
“Në qendër të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore”, theksoi Kos.
Një tjetër fushë ku Brukseli kërkon më shumë angazhim është mjedisi, për të cilin komisionerja tha se duhet të jetë një prioritet i qeverisë shqiptare.
“Përparimi në çështjet mjedisore duhet të jetë gjithashtu një përparësi. Këto çështje kanë rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve”, deklaroi ajo.
Pra, përtej kapitujve të mbyllur dhe objektivave të shpallura nga qeveria, Brukseli kërkon prova se reformat po japin rezultate në funksionimin e institucioneve, drejtësinë dhe respektimin e lirive themelore.
Brukseli hap dialogun për integrimin gradual, Mali i Zi në krye të garës
Gjatë prezantimit të raportit, Marta Kos njoftoi gjithashtu se Bashkimi Europian do të nisë një dialog për integrimin gradual me Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate.
“Do të nisim një dialog për integrimin gradual me Shqipërinë dhe vendet kandidate. Sot jemi në kushtet që mund të zgjerojmë Unionin. Vendi i parë që është në rrugën drejt integrimit është Mali i Zi”, deklaroi ajo.
Kos shprehu pritshmërinë që Mali i Zi të bëhet pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2028, duke e cilësuar atë si vendin më të avancuar në procesin e integrimit.
Për Moldavinë, komisionerja vlerësoi përparimin e qeverisë proeuropiane, por theksoi se vendi duhet të vijojë reformat. Ndërsa për Ukrainën vuri në dukje funksionimin e institucioneve antikorrupsion, pavarësisht luftës, duke kërkuar përparim të mëtejshëm në pavarësinë e drejtësisë.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Kos kërkoi ndryshime kushtetuese, ndërsa për Bosnjë-Hercegovinën theksoi nevojën për vijimin e reformave dhe frenimin e retorikës kundër BE-së.
Për Shqipërinë, mesazhi i Brukselit është se rruga drejt anëtarësimit ka avancuar, por nuk mjafton vetëm mbyllja e kapitujve negociues. Pavarësia e drejtësisë, liria e medias, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e mjedisit mbeten provat kryesore që qeveria duhet të kalojë për të përmbushur objektivin e vitit 2027.









