Qytetarët kërkojnë më shumë investime në arsim dhe shëndetësi, duke kundërshtuar shpenzimet për aktivitete festive dhe koncerte. Ata thonë se do të vijojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa shprehen se çdo tubim ka rritur shpresën për ndryshim.
Mijëra qytetarë janë mbledhur edhe këtë të martë përpara godinës së Kryeministrisë, në protestën e 45-të radhazi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit deklaruan se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre, duke theksuar se protestat do të vijojnë deri në dorëheqjen e kryeministrit.
Sipas tyre, Shqipëria ka nevojë për më shumë investime në sektorët jetikë, si arsimi dhe shëndetësia, ndërsa kritikuan shpenzimet për aktivitete festive dhe koncerte, të cilat, sipas tyre, nuk adresojnë problemet me të cilat përballen qytetarët.
“Ne duam shkolla dhe spitale, jo koncerte”, ishte një nga mesazhet më të përsëritura gjatë tubimit. Protestuesit kërkuan që fondet publike të orientohen drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe jo drejt aktiviteteve argëtuese.
Gjatë protestës nuk munguan as akuzat politike ndaj qeverisë. Pjesëmarrësit u shprehën se, sipas tyre, drejtuesit e vendit kanë hyrë në politikë për përfitime personale dhe jo për t’u shërbyer qytetarëve. Ata renditën korrupsionin, emigracionin dhe vështirësitë ekonomike si arsyet kryesore që i kanë nxjerrë në protestë javë pas jave.
Pavarësisht zhvillimit të 45 protestave radhazi, qytetarët këmbëngulin se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Sipas tyre, vazhdimësia e tubimeve ka rritur ndërgjegjësimin qytetar dhe ka shtuar shpresën se ndryshimi është i mundur.
Protestuesit theksuan se kauza e tyre nuk lidhet vetëm me kërkesa politike, por edhe me nevojën, sipas tyre, për një qeverisje më të përgjegjshme dhe më pranë qytetarëve.
Tubimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa deri në këto momente nuk janë raportuar incidente. Protesta pritet të vijojë me fjalime të organizatorëve dhe qytetarëve të pranishëm.
“S’ka para për ilaçe, por 4.2 milionë euro për Kanye West”
Një prej protestueseve shprehu indinjatën e saj për mënyrën, sipas saj, se si po menaxhohen fondet publike, duke deklaruar se qeveria shpenzon miliona euro për koncerte, ndërsa pacientët përballen me mungesë ilaçesh.
“Jam shumë e indinjuar, pasi kryeministri dha 4.2 milionë euro për Kanye West. Harxhon para për muzikë, ndërsa nuk ka para për ilaçe në Onkologjik.
Një mikeshë e imja kërkoi bonusin e qirasë, por i thanë se nuk i takon sepse merr 80 mijë lekë pagë, ndërkohë që ka dy fëmijë për të rritur dhe paguan 40 mijë lekë qira.
Duhet t’i denoncojmë këta. Taulant Balla, pa turp, kërcënon një fëmijë”, u shpreh protestuesja.









