Kësaj here tubimit në Tiranë i është bashkuar edhe diaspora. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshimin e kursit politik, duke deklaruar se revolta do të vijojë deri në ndërtimin e asaj që e quajnë “Shqipëria e Re”.
Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës dhe klasës politike ka hyrë në ditën e 77-të. Qytetarë të shumtë janë mbledhur sërish në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa pjesëmarrja e shqiptarëve të ardhur nga diaspora i ka dhënë tubimit një tjetër dimension.
Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje të forta kundër qeverisë, ndërsa protestuesit kanë marshuar drejt Kryeministrisë me slogane si “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Qeveri e krimit”. Një tjetër thirrje e përsëritur ka qenë “Arresto Ramën, arresto Ballukun”.
Një aktivist, duke folur për protestën, deklaroi se 77 ditët e tubimeve kanë delegjitimuar, sipas tij, pushtetin e Edi Ramës.
“Janë 77 ditët që delegjitimuan pushtetin e Edi Ramës. Çdo ditë që kalon, dorëheqja është e pashmangshme”, u shpreh ai.
Edhe shqiptarët e diasporës, të cilët ndodhen në Shqipëri gjatë sezonit veror, janë bashkuar me protestuesit. Organizatorët kishin paralajmëruar më herët se datat 14, 15 dhe 16 gusht do të shfrytëzoheshin për tubime me pjesëmarrje më të gjerë, për shkak të numrit të madh të emigrantëve që ndodhen në vend.
Një prej protestuesve tha se arsyet që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë lidhen me ekonominë, korrupsionin, keqqeverisjen, varfërinë dhe, sipas tij, politikat që po dëmtojnë interesin kombëtar.
“Ekonomia, korrupsioni, keqqeverisja, shitja e Atdheut, varfëria janë shumë arsye që na kanë nxjerrë në shesh. Rama duhet të japë dorëheqjen, e ka mbushur kupën. Mandatin ia ka dhënë populli dhe populli t’ia heqë. Mandati i tij ka rënë”, deklaroi ai.
Në protestën e 77-të foli edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila tha se revolta nuk do të ndalet deri në largimin e Edi Ramës dhe ndryshimin e sistemit politik.
“Jemi përsëri sot në ditën e 77-të të protestës. Shqiptarët kërkojnë dorëheqje. Kjo klasë politike na ka vjedhur dhe na ka detyruar të lëmë vendin. Por jemi këtu sepse kemi një ëndërr të re politike, ku shoqëria shqiptare i del zot vetes”, u shpreh Vatnikaj.
Ajo kërkoi që ligji dhe drejtësia të jenë autoriteti kryesor në vend, duke kundërshtuar atë që e cilësoi si ndikim të krimit të organizuar, korrupsionit dhe oligarkisë në politikë.
“Duam që sundimtari i vetëm në Shqipëri të jetë ligji dhe e drejta dhe jo krimi i organizuar dhe politikanët e korruptuar. I vetmi garant që nuk do të vijë një autokrat apo një trafikant jemi vetë ne. Nuk mund të na sundojnë më as hajdutët, as oligarkia dhe as krimi”, tha ajo.
Vatnikaj kritikoi jo vetëm qeverinë aktuale, por edhe klasën politike të 36 viteve të fundit, duke kërkuar largimin e saj nga skena politike.
Protesta nuk kufizohet vetëm te kërkesa për dorëheqjen e Ramës. Organizatorët kanë shtrirë kundërshtimin ndaj gjithë klasës politike, ndërsa gjatë tubimeve janë dëgjuar edhe slogane si “Rama në burg, Berisha në burg”, “Poshtë korrupsioni”, “Drejtësi për qytetarët” dhe “Nuk ka kthim pas”.
Mes kërkesave të protestuesve janë dorëheqja e qeverisë Rama, shfuqizimi i ligjit për statusin e investitorëve strategjikë, anulimi i “Paketës së Maleve”, si dhe kundërshtimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Sipas organizatorëve, këto ndryshime cenojnë interesin publik dhe pasuritë natyrore e kulturore të vendit.
Protestuesit kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa prania e diasporës pritet të mbetet një prej elementëve kryesorë të protestave gjatë kësaj periudhe. Mesazhi i përsëritur në Sheshin “Skënderbej” mbetet i njëjtë: dorëheqja e qeverisë dhe një ndryshim rrënjësor i mënyrës së qeverisjes së vendit.









