Organizatat nënvizojnë se protesta paqësore është një e drejtë themelore që duhet garantuar, por kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën, zjarrvënien dhe vandalizmin.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe tetë organizata të biznesit kanë kërkuar masa konkrete për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e aktivitetit ekonomik, pas akteve të dhunës dhe dëmtimit të pronës publike dhe private gjatë protestave në Tiranë në 48 orët e fundit.
Në një deklaratë të përbashkët, shoqatat dënojnë sulmet ndaj institucioneve publike, bankave, qendrave tregtare dhe objekteve të tjera të biznesit, duke theksuar se tensionet politike nuk duhet të cenojnë investimet, vendet e punës dhe veprimtarinë e sipërmarrjeve.
Organizatat nënvizojnë se protesta paqësore është një e drejtë themelore që duhet garantuar, por kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën, zjarrvënien dhe vandalizmin.
“Bizneset, punonjësit dhe pronat e tyre nuk mund të bëhen shënjestër e tensioneve politike. Pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vite pune, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj”, thuhet në deklaratë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe shoqatat nënshkruese i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa parandaluese, të sigurojnë prani të përshtatshme policore në zonat e rrezikuara dhe të ndërhyjnë në kohë për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
Në të njëjtën kohë, ato kërkojnë që veprimet e policisë të jenë profesionale, proporcionale dhe në përputhje me ligjin, duke garantuar sigurinë e protestuesve paqësorë, qytetarëve dhe punonjësve të bizneseve.
Shoqatat kërkojnë gjithashtu identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të akteve të dhunshme, duke shmangur përgjegjësinë kolektive ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar.
Organizatat kërkojnë dokumentimin e plotë të dëmeve të shkaktuara dhe krijimin e kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit mes autoriteteve dhe bizneseve të prekura, për të lehtësuar denoncimin e rasteve dhe ndjekjen e procedurave përkatëse.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet në evidentimin e problematikave të sipërmarrjeve dhe forcimin e masave mbrojtëse.
Deklarata mbështetet edhe nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Manifaktura Shqiptare, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Bimëve Medicinale dhe Shoqata e Grave Profesioniste Afariste dhe Zejtare.
Nënshkruesit theksojnë se qëndrimi i tyre është i pavarur nga çdo përkatësi politike dhe synon të mbrojë njëkohësisht të drejtën për protestë paqësore, rendin publik dhe sigurinë e aktivitetit ekonomik.









