Dita e 22-të e protestës para Kryeministrisë u shoqërua me pjesëmarrje të protestuesve nga Shqipëria, diaspora, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa në qendër të debatit publik u vendosën jo vetëm kërkesat politike të tubimit, por edhe incidenti i lidhur me përdhosjen e flamurit izraelit dhe reagimet ndaj pranisë së shqiptarëve nga trojet jashtë kufijve të Shqipërisë.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, ku mikrofoni iu la kryesisht përfaqësuesve të diasporës dhe qytetarëve të ardhur nga vende të ndryshme. Nga podiumi u artikuluan kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Një protestues deklaroi se “diaspora do të jetë aleati më i fortë” në realizimin e proceseve demokratike, ndërsa të tjerë kërkuan kufizimin e mandateve të kryeministrit dhe drejtësi për ngjarje të pazbardhura të së kaluarës.
Mes pankartave dhe thirrjeve kundër qeverisë, vëmendje të veçantë mori pjesëmarrja e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Prania e tyre u kthye në objekt debati politik pas reagimit të kryeministrit Rama, i cili deklaroi se shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut nuk mund të konsiderohen diasporë e Shqipërisë, pasi janë qytetarë të shteteve të tyre dhe pjesë e popujve shtetformues në vendet ku jetojnë. Rama i cilësoi ata si “viktima të zellshme” të interesave politike që, sipas tij, synojnë të krijojnë tensione dhe të dëmtojnë imazhin e shqiptarëve.
Një tjetër episod që shkaktoi reagime ishte përdhosja e flamurit izraelit nga një grup personash të maskuar. Organizatorë dhe aktivistë të protestës u distancuan publikisht nga ngjarja, duke pretenduar se bëhej fjalë për persona të infiltruar që nuk përfaqësonin frymën e tubimit. Incidenti u dënua edhe nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa reagim pati edhe ambasadorja e Izraelit në Tiranë.
Nga ana tjetër, Rama e lidhi protestën edhe me përdorimin e flamurit të UÇK-së gjatë tubimit, duke e konsideruar të papranueshme përdorimin e simbolit të luftës çlirimtare në një aksion politik që synon rrëzimin e qeverisë në Tiranë. Megjithatë, ai kërkoi që debati të mos lidhej me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se nuk e konsideron atë përgjegjës për individë apo grupe të përfshira në protestë.
Mes polemikave politike, protesta e 22-të dëshmoi se përveç kërkesave për ndryshim, po shndërrohet edhe në një arenë debati mbi rolin e diasporës, pjesëmarrjen e shqiptarëve nga trojet dhe simbolikat që shoqërojnë këtë lëvizje qytetare.









