Autokolona nga e gjithë Shqipëria dhe shqiptarë të ardhur nga vendet e Europës iu bashkuan protestës mbarëkombëtare në Tiranë. Nga sheshi u artikuluan thirrje për dorëheqje, ndryshim politik dhe intensifikim të aksionit qytetar.
Protesta e 35-të kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka marrë këtë të shtunë përmasa mbarëkombëtare, duke sjellë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, por edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora. Ndryshe nga tubimet e mëparshme, organizatorët e cilësuan këtë protestë si demonstrimin më të madh qytetar deri tani, me pjesëmarrje nga dhjetëra shtete europiane.
Që në orët e para të pasdites, autokolona të gjata automjetesh mbërritën në hyrjet e Tiranës, ndërsa protestues nga Zvicra, Italia, Greqia, Gjermania, Britania e Madhe, Belgjika, Franca, Austria dhe vende të tjera iu bashkuan marshimit drejt Kryeministrisë. Sipas organizatorëve, prania e diasporës ishte dëshmi se pakënaqësia ndaj situatës politike në vend nuk kufizohet vetëm brenda Shqipërisë.
Atmosfera në bulevard u shoqërua me flamuj kuqezi, pankarta dhe brohoritje të vazhdueshme kundër qeverisë. Mes thirrjeve më të forta u dëgjuan edhe sloganet “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa shumë protestues deklaruan se kërkesa e tyre nuk kufizohet vetëm me largimin e kryeministrit, por synon ndryshimin e të gjithë klasës politike.
Përfaqësues të diasporës, që morën fjalën nga podiumi, deklaruan se protesta nuk është vetëm kundër qeverisë, por përfaqëson, sipas tyre, një reagim ndaj gjithë kastës politike që ka drejtuar vendin ndër vite. Ata theksuan se emigracioni masiv dhe largimi i të rinjve janë pasojë e politikave të ndjekura ndër vite, duke bërë thirrje për një ndryshim rrënjësor.
Nga podiumi u përsërit edhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa një prej protestuesve i bëri apel diasporës të mos kufizojë pjesëmarrjen vetëm në fundjavë, por të qëndrojë në Shqipëri deri në realizimin e kërkesave të protestës. Ai kërkoi gjithashtu përshkallëzimin e aksionit qytetar dhe bllokimin e institucioneve shtetërore si formë presioni ndaj qeverisë.
Në shesh nuk munguan as format simbolike të protestës. Protestuesit ekspozuan pankarta me mesazhe për dorëheqje, si edhe dy torta simbolike, njëra me mbishkrimin “Populli të uron! Jepe dorëheqjen. Merr edhe Saliun me vete”, ndërsa një tjetër prej betoni mbante mesazhin “Shumë burg për ty”. Mbi godinën e Piramidës u shpalos gjithashtu një flamur gjigant kuqezi, ndërsa turma brohoriste “Revolucion”, “Dorëheqje” dhe “Shqipëri e re”.
Në perimetrin e Kryeministrisë ishin vendosur forca të shumta të Policisë së Shtetit, të cilat monitoruan zhvillimin e tubimit dhe zbatuan planin e masave për garantimin e rendit. Organizatorët deklaruan se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke këmbëngulur se mobilizimi qytetar nuk do të ndalet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.









